Profesori i njohur alarmon Kosovën: Ja dëshmia për kapjen e shtetit nga nëntoka kriminale

  • 28 November 2019 - 07:41
Profesori i njohur alarmon Kosovën: Ja dëshmia për kapjen e shtetit nga nëntoka kriminale

“Kriminaliteti ekonomik në vendin tonë zhvillohet në forma te ndryshme të monopolizimeve biznesore, ndarjes së tregjeve , favorizimeve doganore e tatimore , protekcionimeve nepotiste, kolaboracioniste e familjare. Pushtetarët e caktuar në postet kyçe emërojnë e mbështesin kolaboracionistët e vetë dhe edhe ashtu ndikojnë në paralizimin e funksionimit efikas edhe të administratës, edhe të prokurorisë e të gjykatave”, Smaka për “Kosova Sot Online”.

Pas daljes publike të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, me të dhënat ku bëhet e ditur se pas hetimeve të bëra nëpër kompanitë e tregtimit me produkte të naftës, kanë konkluduar se kishte pasur marrëveshje në mes të kompanive për ta kurdisur çmimin e naftës, ku kompanitë fitonin deri në 135 për qind, ka reaguar ashpër profesori i së drejtës Riza Smaka.

Sipas të Smakës, ky konstatim është skandaloz dhe zbulim i një skeme serioze kriminale që ka kapur segmente të caktuara të shtetit. Sipas profesorit Smaka, nuk është rastësi pse zbulohen edhe gjëra të tilla, në një vend sikur shteti i Kosovës ku sundimi i ligjit është në pikën zero.

Image
Riza Smaka

“Në vendin tonë ndodhin abuzime të shumta e të ndryshme. Shumica e tyre për të mos thënë asnjë i tillë nuk procedohen penalisht, së pakut jo në mënyrën e dinamikën e sanksionuar. Pse kështu? Në radhë të parë se shuma të mëdha të parasë së pistë investohen korruptovisht e së andejmi mbrohen nga investorët, jo pak sish janë pushtetar me influencë”, tha Profesor Smaka për “Kosova Sot Online” .

Smaka konstaton se pavarësisht këtij zbulimi të bërë në këtë fushë, gjendja vazhdon të jetë alarmante në shumë segmente të tjera të ekonomisë, ku nuk funksionojnë ligjet e tregut dhe konkurrenca lokale, por kryesisht marrëveshjet monopolistike.

“Kriminaliteti ekonomik në vendin tonë zhvillohet në forma te ndryshme të monopolizimeve biznesore, ndarjes së tregjeve, favorizimeve doganore e tatimore, protekcionimeve nepotiste, kolaboracioniste e familjare. Pushtetarët e caktuar në postet kyçe emërojnë e mbështesin kolaboracionistët e vetë dhe edhe ashtu ndikojnë në paralizimin e funksionimit efikas edhe të administratës, edhe të prokurorisë e të gjykatave”, deklaroi Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)