Në Ditën e Flamurit nderohet dëshmori i UÇK-së, Naser Lani

  • 28 November 2019 - 12:36
Në Ditën e Flamurit nderohet dëshmori i UÇK-së, Naser Lani

Sa herë përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk mund të mos mendohet Llausha, vendi ku për herë të parë doli publikisht ushtria e ardhshme e Kosovës.

Ky fshat më i madhi Drenicës i ka dhënë shumë luftës për lirinë e Kosovës, duke mobilizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qindra luftëtarë. Në mesin e tyre ishte edhe Naser Lani, i cili pikërisht në ditën kur UÇK-ja doli në skenë, ai erdhi nga Gjermania për t’i bashkuar radhëve të luftëtarëve që po mobilizoheshin për ta çliruar Kosovën.

Disa muaj më vonë, në qershor të vitit 1998, Naser Lani u vra nga serbët, derisa nga Llausha po shkonte në Likofc për nevojat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

E në vendin ku dëshmori i UÇK-së i ka bërë roje fshatit Llaushë, është ngritur flamuri kuq e zi, si nderim për dëshmorët Naser Lani e Nuhi Geci dhe ushtareve të gjallë që nga vendi i quajtur Pika e Lanëve, i kanë dalë përballë armikut. Ngritjen e flamurit e ka bërë nipi i dëshmorit Naser Lani, i cili ka trashëguar emrin e gjyshit dëshmor. Rinia e lagjes Lani; lagje e vogël por që ka dhënë shumë për luftën e UÇK-së, ka planifikuar një organizim më të madh për këtë ngjarje por aktivitet janë anuluar për shkak të ngjarjeve të dhimbshme që ndodhën në Shqipëri. 

(Kosova Sot Online)