Shqipëria e Kastratit, Edi Rama ia ha fjalët për tarifën rrugore për shkak të oligarkut të tij

  • 28 November 2019 - 12:46
Shqipëria e Kastratit, Edi Rama ia ha fjalët për tarifën rrugore për shkak të oligarkut të tij

 Vendimi i Shefqet Kastratit për lirimin nga pagesa e taksës rrugore të atyre që udhëtojnë nga Kosova drejt Shqipërisë me qëllim të dërgimit të ndihmave e ka nxjerrë në pozitë të palakmueshme Edi Ramën. Derisa Kryeministri shqiptar në prani të zyrtarëve nga Kosova, në mesditën e 27 nëntorit ishte kategorik që ajo taksë të mos hiqej, në fund të ditës i gjendur me shpinë në mur nga vendimi i oligarkut Kastrati, kishte deklaruar se nuk është e vërtetë që po taksohen makinat që po dërgojnë ndihma drejt Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollin, në zonat e prekura nga tërmeti kishte diskutuar edhe për çështjen e taksës rrugore që detyroheshin ta paguanin karvanët me makina e kamionë të kosovarëve që dërgonin ndihma drejt Shqipërisë.

Rama ishte kategorik që ajo taksë të mos hiqet, pasi sipas tij ata që dërgojnë ndihma në Shqipëri mund ta paguajnë edhe shumën prej pesë eurove në rampat që menaxhohen nga kompania e oligarkut Shefqet Kastrati.

Megjithatë deklarimet e Ramës duket se nuk i ka dëgjuar Shefqet Kastrati, kompania e të cilit përmes një komunikate për media kishte njoftuar se makinat të cilat udhëtojnë drejt zonave të prekura më qëllim të dërgimit të ndihmave nuk do të taksohen.

Siç ka raportuar dje Gazeta Express, një veprim i tillë i Kastratit e ka zëmëruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, i cili madje e kishte telefonuar këtë të fundit dhe i kishte bërtitur në telefon.

Megjithatë në fund të ditës, Edi Rama, i zmbrapsur nga vendimi i Shefqet Kastratit ka dalë më një deklaratë kontradiktore, duke thënë se janë gënjeshtra ato që po thuhen se “po u kërkohet taksë kalimi automjeteve që sjellin ndihma në Shqipëri. Derisa në takimin e mesditës i kishte thënë Behgjet Pacollit që t’ua bënte me dije kosovarëve që të mos kërkojnë heqjen e taksës për “Rrugën e Kombit”.

“E para, është një gënjeshtër me bisht që u kërkohet “taksë” kalimi automjeteve që sjellin ndihma në Shqipëri! Zero! Kompania që investon në Rrugën e Kombit dhe garanton mirëmbajtjen e saj, e ka marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të kësaj “takse” për çdo automjet ndihmash. Ky është fakti dhe gënjeshtra që ka marrë dhënë në rrjetet sociale është vetëm një gënjeshtër. Të cilën e përsërisin dhe e përhapin jo ata që sjellin ndihma, po ata që e kanë me të dëgjuar! Popujt thonë kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta ende s’ka veshur dot pantallonat”, ka potencuar Rama.

Përveç tjerash Rama kishte thënë se ajo nuk është një tarifë e as një pengesë që kosovarët të udhëtojnë drejt Shqipërisë, por një shumë parash që kërkohet për mirëmbajtjen e Autostradës.

I shkatërruar nga raportimet për taksën ndaj kosovarëve, Edi Rama, kishte thënë se nuk është tradhatar.

(Kosova Sot Online)