Grupi i ekspertëve të FSK’së niset për Shqipëri, do të vlerësojë objektet e dëmtuara

  • 28 November 2019 - 12:48
Grupi i ekspertëve të FSK’së niset për Shqipëri, do të vlerësojë objektet e dëmtuara

Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur për në Shqipëri një grup të ekspertëve për të vlerësuar objektet e dëmtuara nga tërmeti

Përmes një komunikate, bëhet e ditur se dërgimi i grupit të ekspertëve është bërë me kërkesë të qeverisë shqiptare dhe me vendim të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Me kërkesë të qeverisë shqiptare dhe  me vendim të Presidentit  të Republikës së Kosovës zotit Hashim Thaçi,  me urdhër të komandantit të FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Ramës, sot është nisur një grup i ekspertëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për vlerësimin e  shkallës së dëmtimit të banesave dhe objekteve tjera nga dëmtimet e tërmeteve që kanë goditur Shqipërinë këto ditë”, thekson komunikata.

Ndërkaq bëhet e ditur se ky kontigjent është vazhdimësi e misionit  të Njësive të specializuara të Gardës Kombëtare të FSK-së, që iu kanë bashkuar operacioneve të kërkim-shpëtimit  që nga momentet e para pas goditjeve të tërmetit shkatërrues në Shqipëri.

(Kosova Sot Online)