Raportimi i mediave ndërkombëtare për tërmetin në Shqipëri

  • 28 November 2019 - 14:17
Raportimi i mediave ndërkombëtare për tërmetin në Shqipëri

Tërmeti që ndodhi mëngjesin e të martës në Shqipëri, është përshkruar nga autoritetet si më i forti që goditi në dekada shtetin shqiptar.

Krahas mediave vendore, kjo tragjedi ka marrë vëmendje të madhe edhe nga mediat ndërkombëtare, duke filluar nga “BBC”, “CNN”, “The New York Times”, “The Guardian”, “Daily Mail”, “Washington Post”, etj.

“Shqipëria u godit nga një tërmet vdekjeprurës me 6.4 të shkallës Rihter”, ishte titulli i artikullit të parë për tërmetin në Shqipëri nga BBC-ja, për të vazhduar edhe me artikuj të tjerë duke raportuar se ka pasur edhe dridhje të tjera, përderisa numri i viktimave e të lënduarve rritej.

Po ashtu, raportimi i CNN-it u bë përmes disa artikuj, e që po vazhdojnë të rifreskojnë të dhënat gjatë gërmimeve në rrënojat e shkaktuara nga lëvizjet e forta të tokës. Ky medium, gjithashtu, gjatë raportimeve përfshiu videot e mediave sociale nga zonat të cilat tregojnë pamje nga ndërtesat të cilat janë shembur. 

Në anën tjetër, duke informuar publikun e tij, “The New York Times”, nuk la pa përmendur edhe ndihmat e ofruara nga Kosova. Në një artikull u tha se ekipet e urgjencës nga Kosova ishin të gatshme qysh në orët e para të mëngjesit. E po ashtu, më vonë Rumania, Italia dhe Greqia iu bashkuan kësaj përpjekjeje.

Në vrazhdën e këtyre raportimeve vazhduan edhe media të tjera ndërkombëtare.

Disa nga titujt e tyre janë:

 “Tërmeti me 6.4 në Shqipëri la pas viktima dhe shumë persona të lënduar”, ishte një nga titujt e “The Guardian”.

“Trupi i një vajze pesëvjeçare është tërhequr nga rrënojat e tërmetit më të madh të Shqipërisë në dekada, kjo si pasojë e dridhjes me 6.4 të shkallës Rihter” , ishte një përshkrimet e “Daily Mail”.

Në vitin 1979-të, një tërmet i fuqishëm kishte goditur Shqipërinë, duke lënë 136 të vdekur dhe më shumë se 1000 të plagosur.

(Kosova Sot Online)