Osmani: Qeveria e re nuk do ta përdorë dialogun për t’i fshehur dështimet

  • 28 November 2019 - 14:18
Osmani: Qeveria e re nuk do ta përdorë dialogun për t’i fshehur dështimet

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila njëkohësisht ishte edhe kandidate e kësaj partie për postin e kryeministres në zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë.

Në një intervistë për europeanwesternbalkans, ajo ka folur edhe rreth asaj se çfarë mendojnë të bëjnë së bashku me, siç i është referuar ajo, partnerin e koalicionit, Lëvizjen Vetëvendosje, në lidhje me dialogut me Serbinë, duke thënë se deri më tani këto bisedime me Serbinë janë përdorur më shumë për të fshehur dështimet e qeverisë së kaluar.

“Sigurisht, shumë gjëra do të ndryshojnë për të mirë. Kjo qeveri nuk do ta përdorë dialogun për t’i fshehur prapa vetes dështimet e saj dhe të merret me politikat e brendshme, duke pasur parasysh që dialogu ishte përdorur më parë për të mbuluar çdo gabim që kishte bërë qeveria”, tha Osmani.

“Ajo që duam të bëjmë me partnerin tonë të koalicionit, Lëvizjen Vetëvendosje, është që të sigurohemi që të merremi si me çështjet e brendshme ashtu edhe me politikën e jashtme. Teksa marrëdhëniet me Serbinë mund të duken të largëta, në fakt nuk janë. Sa më shpejt që ne ta përfundojmë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, aq më mirë për të gjithë rajonin, veçanërisht kur bëhet fjalë për krijimin e një perspektive më të mirë ekonomike për vendin tonë”, shtoi ajo, derisa tha se marrëveshja me Serbinë duhet të sjellë njohje reciproke.

“Kur takohemi me investitorët e huaj dhe bizneset vendore, ata flasin për rreziqet politike dhe paparashikueshmërinë ligjore dhe ne duhet ta adresojmë këtë. Marrëveshja me Serbinë duhet të përfshijë njohje të ndërsjellë pasi kjo do të heqë çdo pengesë për ata që po mendojnë të investojnë në Kosovë”, tha Osmani.

“Në anën tjetër, normalizimi si i tillë deri më tani është parë më shumë si një koncept teorik. Ne duhet të sigurohemi që ta përkthejmë atë në atë që duhet për qytetarët tanë. Kishte një marrëveshje në vitin 2010 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të filluar dialogun nën kujdesin e BE-së. Ideja ishte që të sigurohemi që nga ky proces të përfitojnë qytetarët, në vend se të shndërrohet në një shtrëngim duarsh në mes të dy liderëve dhe aty përfundon gjithçka. Për fat të keq, gjatë gjithë këtyre viteve, ne e kemi parë që fokusi i BE-së ishte në shtrëngimin e duarve dhe jo në atë se çfarë ndodh me marrëveshjet më pas. Kjo rezultoi në 33 marrëveshje, shumica prej të cilëve nuk po zbatohen nga Serbia”, tha Osmani.

Nënkryetarja e LDK-së u deklarua se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjedhur problemet me Serbinë.

“Ka shumëçka që mund të bëjmë. Si LDK ne mendojmë që dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet me fqinjët tanë, përfshirë edhe Serbinë. Por, natyrisht ne kurrë nuk do të lejonim që çështjet si kufiri të jenë të diskutueshme, si dhe çdo çështje që janë të lidhura me sovranitetin tonë ose funksionalitetin tonë si një shtet i pavarur”, ka deklaruar Osmani.

(Kosova Sot Online)