28 Nëntori i kobshëm për shqiptarët

  • 28 November 2019 - 14:25
28 Nëntori i kobshëm për shqiptarët

107-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë pritej të kalohej ndryshe, si çdo vit tjetër ku festa e gëzimi ishin në rend të parë.

28 Nëntori ishte dita e çdo shqiptari anembanë. Të gjitha qytetet, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ishin gati për festë në nder të Ditës së Flamurit.

Por, e gjithë kjo festë u përmbys.

Mëngjesi i 26 nëntorit ishte i kobshëm për Shqipërinë dhe gjithë popullin shqiptar. Pikërisht në orën 03:55, Shijaku, 10 kilometra afër Durrësit, u bë epiqendra e njërit prej tërmeteve më të mëdha, që kanë ndodhur në historinë e vendit.

Thumana dhe Durrësi pësuan më së shumti nga ky tërmet, por nuk mbetën pa u dëmtuar edhe vendet e tjera të Shqipërisë.

Dhjetëra të vdekur e qindra të lënduar mbetën nën rrënojat e pallateve, derisa tmerri dhe ankthi te qytetarët vazhdon akoma. Pikërisht kjo frikë që kishin ndier banorët kishte bërë që ata të hezitonin të ktheheshin në banesat e tyre.

Kjo ngjarje preku rëndë të gjithë shqiptarët.

Imazhet e shfaqura në media dhe rrjete sociale, bën që të ketë një mobilizim të madh edhe të shteteve tjera, pasi pos Kosovës, me ekipe të specializuara Shqipërisë u dolën në ndihmë edhe Italia, Turqia dhe Greqia.

Madje në çdo qytet të Kosovës u krijuan pika grumbulli të çfarëdolloj ndihme si: të holla, veshmbathje, ushqim dhe higjienë.

Pos kësaj, shumë kryefamiljarë nga Kosova hapën dyert e shtëpive të tyre për familjet që mbetën pa kulm mbi kokë, si pasojë e tërmetit të shkallës 6.4 të rihterit.

Ani pse kësaj radhe pasojat janë më të mëdha, Shqipëria ishte goditur ndër vite nga tërmetet. Madje për çdo vit ky vend përballet me 4 deri në 5 tërmete.

Ndërsa, çdo 25 vjet, sipas sizmologëve atje, shkaktohen lëkundje me afro 9 shkallë të rihterit, që mund të jenë shkatërruese për zonat e prekura.

Tërmetet kishin nisur në vitin 1851. Gjatë shekullit 19, në Shqipëri janë ndier 77 tërmete me mbi 7 ballë. 10 tërmetet më të fuqishme në historinë e Shqipërisë, janë ai i 17 tetorit 1851, ku u shkatërrua qyteti i Beratit. Nga ky tërmet të vdekur mbetën 400 persona.

Ai u pasua nga një tjetër tërmet, në Shkodër, në verën e vitit 1855 dhe më pas në Leskovik-Konicë, në dhjetor të vitit 1919.

Në Elbasan, më 18 dhjetor 1920, si pasojë e tërmetit të vdekur mbetën 14 persona dhe 300 të tjerë u lënduan.

Këto dridhje të tokës u pasuan me ato të marsit të vitit 1921, të shtatorit 1959, nëntorit të ‘67-s, prillit të ‘76-s dhe janarit të vitit 1988.

(Kosova Sot Online)