Tri ditë nga nisja e gërmimeve në kampusin e UP-së, nuk gjenden mbetje mortore

  • 29 November 2019 - 10:24
Tri ditë nga nisja e gërmimeve në kampusin e UP-së, nuk gjenden mbetje mortore

Në oborrin e UP-së po vazhdojnë për të tretën ditë me rradhë gërmimet për mbetje mortore. Deri tani, aty nuk është gjetur ndonjë mbetje mortore, teksa gërmimet janë kryer në bazë të dëshmive të ofruara në prokurori.

Kjo u konfirmua nga Kushtrim Gara, udhëheqës i Zyrës për Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit.

“Sot është dita e tretë e gërmimeve vlerësuese, e rëndësishme është që të gjitha informatat që janë prezantuar në kërkimin e dëshmive në institucionet përkatëse të adresohen tutje për vlerësimin e hapësirave të shënjuara. Deri me tani nuk është hasur në mbetje mortore, qoftë mbetje kockore apo në gjurmë në vend varrezë të mundshme individuale”, tha ai.

Ai tha po ashtu se gërmimet do të vazhdojnë deri në adresimin e plotë të dëshmive të dhëna.

Ndër të tjera, Gara tha se brenda territorit të Kosovës janë 25 lokacione, që janë gërmuar, por që nisja e kërkimeve në lokacione tjera është sfidë, për shkak se të njëjtat gjenden edhe në Serbi.

“Republika e Kosovës është shembull për me urën e trajtimit dhe procedimin e informatave në rajon, çdo informacion trajtohet si rast prioritar. Jemi në koordinim me ShBA, lokacionet e Serbisë janë sfidë. Kemi qenë në disa lokacione në Serbi, por janë lojëra të vazhdueshme të palës serbe në këtë proces. Presioni i bashkësisë ndërkombëtare mund të shtyjë Serbinë që të jetë bashkëpunuese dhe t’i hap arkivat”, u shpreh Gara.

Gërmimet në këtë lokacion në kryeqytet po kryhen me urdhër të prokurores, Drita Hajdari. 

(Kosova Sot Online )