Mbi 5200 të pastrehë dhe 1200 banesa të dëmtuara

  • 29 November 2019 - 13:54
Mbi 5200 të pastrehë dhe 1200 banesa të dëmtuara

Në Shqipëri ka rritur në 49, numri i viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi vendin të martën, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po shkojnë drejt fundit dhe paraditen e së premtes po kërkohej vetëm nën rrënojat e një hoteli në Durrës, ku dyshohet të jetë ende trupi i një personi. Eshtë pikërisht Durrësi qyteti me numrin më të madh të personave që kanë humbur jetën, 40 viktima. Goditjet e tërmetit shkatërruan duke rrënuar plotësisht, dy hotele në zonën e plazhit, dy pallate në qytet si dhe një banesë trekatëshe në zonën e ish Kënetës.

Sot qeveria bëri të njohur dhe një bilanc të parë të dëmeve, ku janë mbi 1200 banesa dhe pallatet e prekur. Sipas kryeministrit Edi Rama në zonën e Durrësit janë 701 banesa të dëmtuara, 12 të shkatërruara totalisht dhe 176 pallate të dëmtuara. Ndërsa në Tiranë, 15 banesa janë të shkatërruara dhe 239 të dëmtuara, ndërsa 8 pallate janë jashtë funksionit dhe 61 të dëmtuara.

Mbi 5200 janë qytetarët e pastrehë nga të cilët 3480 në rajonin e Tiranës dhe 1760 në Durrës dhe Thumanë. Kryeministri Edi Rama tha se tendat do të mbyllen gjatë ditës së sotme dhe të gjithë personat e pastrehë do të sistemohen pranë strukturave hoteliere me të cilat qeveria ka bërë marrëveshje.

Ndërsa dy ditë më parë qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës, sot në listë u përfshi edhe Laçi për shkak të dëmeve të mëdha të rregjistruara dhe në këtë zonë. Një ditë më parë një gjë e tillë u kërkua nga kryetari demokrat Lulzim Basha. “Mirëkuptoj opinionin e kryetarit të opozitës, se Laçi përfshihet në këtë perimeter. Në këtë rast na përputhen shqetësimet dhe idetë”, deklaroi kryeministri, i cili ftoi opozitën të bëhet pjesë dhe e Komitetit për Rindërtimin e dëmeve nga tërmeti.

(Kosova Sot Online)