A do ta përpijë Vetëvendosje marrëveshjen për Presidentin që LDK e do për vete?

  • 29 November 2019 - 17:30
A do ta përpijë Vetëvendosje marrëveshjen për Presidentin që LDK e do për vete?

Pavarësisht se Vetëvendosje, kishte insistuar që si pjesë e pazarit për koalicion të mos jetë edhe pozita e presidentit, që do të pasojë Hashim Thaçin, prapa kësaj kërkese nuk janë zmbrapsur LDK-ja. Partia e Isa Mustafës, me partnerin e ardhshëm po do t’i ndajnë saktësisht përgjegjësitë. Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike, Agim Veliu thotë në një përgjigje se nuk kanë  ndryshuar qëndrim sa i përket marrëveshjes për të partin e shtetit.

Takimi i nesërm në mes të Albin Kurtit e Isa Mustafës si duket do të hedhë në dritë se kush do të jenë ministrat në qeverinë e ardhshme, do të zbulojë emrin që do të udhëheqë Kuvendin e Kosovës, e diçka do të merren vesh edhe për presidentin.

Kështu u deklaruan anëtarë të dy partive, pas takimit të sotëm në mes të grupeve punuese ku u bë e ditur se kanë kryer 100 për qind punët për harmonizim të programit.

Edhe pse VV-ja nuk kishte dashur që të fusë si pjesë të pazarit pozitën e presidentit, LDK insistoi në këtë pikë, e si duket edhe doli fitimtare. Megjithatë, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, lider ky i dalë si më i votuari nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, nuk e kanë pranuar asnjëherë se presidenti është pjesë e  tavolinës së diskutimit.

Madje, media pati raportuar se VV ishin treguar edhe të prerë në këtë pikë, qysh në takimin e parë në nivel të liderëve.

Sa i përket pozitës së të parit të shtetit, ambiciet e LDK-së për pozita fituan në këtë diskutim. Ani pse u tha se deri më sot s’ka pasur diskutime për pozita, LDK në anën tjetër shprehet e bindur se kanë folur për presidentin e ardhshëm.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri tha sot pas takimit mes grupeve punuese, se asnjë çështje nuk do të lihet për më vonë, e se kjo është temë që zgjidhet pa problem. 

Se nuk kanë hequr dorë nga kjo pozitë po thotë edhe nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu.

Në një përgjigje, Veliu thotë se do të diskutohet për ndarje të përgjegjësive.

 “Ne faktikisht ende kemi punë, ka punë, ndarja e përgjegjësive ende nuk është diskutuar nuk është definuar, mbetet me u taku prap, ndarja e të gjitha përgjegjësive për të cilat duhet të bisedohet. 

Ai thotë se në takimin e djeshëm nuk kanë bërë ndonjë kërkesë sa i përket ndonjë ministrie të caktuar, megjithatë, shton se duhet të definohen vetëm disa përgjegjësi për mandatin.

“Këtu nuk është çështja te mospajtimet, po te harmonizimi i të gjitha pjesëve programore, që kanë dallime, kanë punu grupet edhe i kanë afru në masë të madhe janë edhe disa dilema që kanë mbetë, edhe pastaj me kalu në pjesën tjetër në definimin e përgjegjësive për mandatin”, shton ai.

Agim Veliu thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë ndërruar qëndrim sa i përket pozitës së presidentit.

“Ne jemi deklaru disa herë për atë çështje, ne nuk kemi ndryshim të qëndrimit si LDK”, ka bërë të ditur.

LDK dhe VV gjatë ditës së nesërme do të mbajnë edhe një takim në nivel të liderëve, ku pritet që të vendosen se kush do të jenë ministrat e ardhshëm.

Sipas të gjitha gjasave, e hëna do të jetë ditë e nënshkrimit të koalicionit VV-LDK, që pastaj do të pres vetëm mandatimin nga presidenti Hashim Thaçi.