Historia e Rolejd Vatës, si u gjet i vdekur vogëlushi pasi i humbi nënës nga duart

  • 29 November 2019 - 19:33
Historia e Rolejd Vatës, si u gjet i vdekur vogëlushi pasi i humbi nënës nga duart

Nëna e Rolejd Vatës, mendoi se djali i saj do të ishte i sigurt, nëse do ta nxirrte jashtë pallatit 6-katësh në Thumanë. Ndaj pas lëkundjeve të tmerrshme të mëngjesit të 26 nëntorit, Ela Vata, e nxorri të voglin e saj, 7 vjeçar, menjeherë jashtë apartamentit, për të vrapuar më pas, drejt djalit tjetër, Santijanos dhe vjehrrës, Hajries.

Në media raportohet se Ela, e ëma e dy djemve, kishte thyer këmbën, ndaj ajo nuk kishte mundur të kthehej më pranë djalit. Emri i Rolejdit, u shpall në listen e personave të humbur. Për më shumë se 24 orë ai nuk u gjet. Nëna dyshonte se mund të ishte larguar, larg ndërtesave, por në fakt ai ndodhej në pallatin e tij, në momentin kur ai u shemb i tëri. Pas orësh kërkimesh, grupet e shpëtimit, e gjetën të pajetë, nën rrënoja. Përqafuar me një tjetër vajzë të pajetë. Mbase si shumë të tjerë, kishin menduar se po të ishin bashkë, do të ishin më të fortë për ta përballuar këtë forcë të natyrës. Por nuk ndodhi kështu. Rolejd Vata u varros sot së bashku me gjyshen e tij,  Hajrie Vatën, e cila u sakrifikua për të shpëtuar nipin e madh Santijano Vata. 

E ëma e dy djemve, fatmirësisht i shpëtoi tërmetit. Ndërsa bashkëshorti i saj, Servet Vata, ndodhej në Greqi prej shumë vjetësh, atje ku punonte për të mbajtur familje. Pas kësaj tragjedie ai është kthyer në Shqipëri.

(Kosova Sot Online)