Kështu është çarë toka në fshatin Jubë, banorët: Pamë flakë të mëdha pas tërmetit

  • 29 November 2019 - 22:14
Kështu është çarë toka në fshatin Jubë, banorët: Pamë flakë të mëdha pas tërmetit

Në fshatin Jubë toka është çarë disa kilometra pas tërmetit. Ndihet ende era e gazit. Sipërfaqja e tokës është e mbushur me argjile” .

Banorët thonë se kanë parë flakë të mëdha menjëherë pas tërmetit 6.4 ballë të orës 3.55 minuta të së martës dhe kanë ndjerë erë të fortë gazi në të gjithë zonën.

“E çara e krijuar shkon deri në Gjirin e Lalëzit”.

Në të gjithë fshatin janë të dukshme gropa të thella, ndërsa tokat bujqësore janë mbushur me baltë të zezë.

Në zonë ndihet era gaz, ndërsa frika është përhapur kudo.       

Banorët tregojnë se ditën e tërmetit kanë parë të shpërthejë gaz ndërsa sytë iu janë verbuar nga ndriçimi.

Pasi kanë siguruar familjarët pas tërmetit të 26 Nëntorit, kanë shkuar drejt vendit ku dëgjuan zhurmën e madhe.

“Në disa zona çarja e tokës është një metër gjerësi, ndërsa thellësia është e pamatshme”, shprehen banorët.

Banorët e Jubës kërkojnë ardhjen e specialistëve në zonë, për të shpjeguar fenomenin e çarjes së tokës. Ata thonë se mjetet bujqësore nuk mund të plugojnë për shkak të gropave të shumta dhe çarjeve të krijuara nga tërmeti.

(Kosova Sot Online)