Presidenti i Brazilit e akuzon DiCaprio-n se ka dhënë para për djegien e Amazonës

  • 30 November 2019 - 08:58
Presidenti i Brazilit e akuzon DiCaprio-n se ka dhënë para për djegien e Amazonës

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, e ka akuzuar në mënyrë të pabazuar aktorin e njohur dhe aktivistin për mbrojtjen e mjedisit, Leonardo DiCaprio, për financimin e djegies së pyjeve të Amazonës.

Udhëheqësi populist dhe nacionalist i shtetit më të madh të Amerikës Jugore, i cili është zotuar se do t’i dëbojë nga Brazili organizatat joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit, e bëri këtë akuzë të premten, duke thënë para përkrahësve të tij: “Ky Leonardo DiCaprio është djalosh i mirë, apo jo? Ai që jep të holla që Amazona të digjet.”

Kjo akuzë e pabazë, për të cilën presidenti brazilian nuk dha asnjë dëshmi, erdhi vetëm 24 orë pasi Bolsonaro e bëri një akuzë tjetër pa fakte gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në Facebook.

“Leonardo DiCaprio, djalli e marrtë, ti je duke bashkëpunuar për djegien e Amazonës”, deklaroi Bolsonaro, duke e akuzuar aktorin se është pjesë e një fushate ndërkombëtare kundër Brazilit.

Akuzat e pabaza të presidentit lidhen me arrestimin kundërthënës të katër zjarrfikësve vullnetarë të martën. Ata u akuzuan për zjarrvënie të qëllimshme për t’i shtuar mjetet financiare të një organizate joqeveritare ndërkombëtare.

Ndryshe, kur zjarret në pyjet e Amazonës u përhapën në muajin gusht, aktori DiCaprio u zotua se do t’i japë 5 milionë dollarë për mbrojtjen e këtyre pyjeve të rëndësishme për ekosistemin e Amerikës Jugore, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)