Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri: Gjatë 24 orëve janë paraqitur 13 qytetarë me lëndime dhe 34 pacientë janë të shtruar në spital

  • 30 November 2019 - 11:20
Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri: Gjatë 24 orëve janë paraqitur 13 qytetarë me lëndime  dhe 34 pacientë janë të shtruar në spital

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur informacione më të fundit për sa u përket dëmtimeve të njerëzve nga tërmeti. Sipas ministrisë në Spitalin e Traumës gjatë 24 orëve  janë paraqitur 13 qytetarë me lëndime të lehta dhe aktualisht 34 pacientë janë të shtruar në këtë spital si pasojë e lëndimeve nga tërmeti.

Gjendja e të lënduarve paraqitet e mirë, me përjashtim të një vajze në gjendje të rëndë, e cila sipas mjekëve nuk mund të transferohet jashtë vendit. E plagosura Xhesika Biqiku 20 vjeçe ishte ndër emrat që do të transportohej drejt Italisë, por gjendja e saj e rënduar bëri që transportimi të anulohej për shkak se grupi mjekësor italian vlerësoj se një lëvizje e saj nga aparaturat mjekësore do të përkeqësonte gjendjen e saj. Xhesika u dëmtuar në kokë nga rënia e disa tullave te pallati i saj në kombinat.

Deri më tani në Itali janë transportuar për një ndihmë më të specializuar , 17-vjeçari Ramë Lala i cili humbi të 8 familjarët e tij nga tërmeti . I dyti është Marlind Shkodra ndërsa i treti i transportuar drejt Italisë është Albert Cara.

Në spitalin e Durrësit aktualisht po marrin trajtim vetëm tre pacientë, në gjendje të stabilizuar.  Po ashtu janë 913 të lënduar si pasojë e tërmetit që kanë marrë trajtim në spitale. Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë rreth 1500 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa mbi 700 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë.

(Kosova Sot Online)