Jep dorëheqje kryeministri i Maltës, shkak vrasja e gazetares hulumtuese

  • 02 December 2019 - 09:09
Jep dorëheqje kryeministri i Maltës, shkak vrasja e gazetares hulumtuese

Kryeministri i deritashëm i Maltës, Joseph Muscat, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij shkaku i krizës politike dhe kushtetuese të krijuar pas fillimit të hetimeve për vrasjen e para dy vjetëve të gazetares hulumtuese, Daphne Caruana Galizia.

 Gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion të dielën në mbrëmje, kryeministri Muscat njoftoi se do të qëndrojë në pozitën e shefit të qeverisë derisa të caktohet një lider i ri i partisë që i përket dhe kjo pritet të ndodhë në janar. Ai tha se ndien shumë keqardhje për vrasjen e gazetares Galizia dhe tha se vendi ka nevojë për një faqe të re.

Në kohën kur i tërë populli i shtetit të vogël të Mesdheut po e priste fjalimin e kryeministrit, mijëra persona u tubuan në rrugët e Valletta-s, duke mbajtur qirinj, duke i valëvitur flamujt e Maltës dhe duke e kënduar himnin kombëtar në shenjë proteste për vrasjen e gazetares.

Caruana Galizia u vra në tetor të vitit 2017, kur një bombë e montuar nën ulësen e shoferit në veturën e saj kishte shpërthyer me kontroll nga largësia. Kjo gazetare kishte publikuar shkrime për korrupsionin e nivelit më të lartë në qeverinë malteze.

Kryeministri i dorëhequr tha: “Do t’i shkruaj kryetarit të Partisë së Punës dhe procesi për zgjedhjen e presidentit të ri është caktuar për datën 12 janar 2020. Në atë ditë do të jap dorëheqje edhe nga pozita e liderit të partisë”.

Largimi i tij sjell fundin e një qëndrimi shtatëvjeçar në pushtet në shtetin më të vogël të Bashkimit Evropian, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)