Rama: Festat banorët do i kalojnë në hotele, në janar akomondohen në shtëpi me qera

  • 02 December 2019 - 10:46
Rama: Festat banorët do i kalojnë në hotele, në janar akomondohen në shtëpi me qera

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, mëngjesin e sotëm, kryeministri Rama siguroi se të gjithë qytetarët, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti tashmë janë akomoduar nëpër hotele dhe festat e fundvitit do të duhet t’i kalojnë atje.

Ndërkohë, kreu i qeverisë bëri me dije se pas festave, këto familje do të akomodohen në shtëpi me qira deri në momentin e rindërtimit të banesave të tyre, sepse ky është një proces që zgjat.

Për banorët e zonave rurale, banesat e të cilëve gjithashtu janë bërë të pabanueshme, Rama tha se po merren të gjitha masat që ata të pajisen me çadra dhe tenda të cilësisë maksimale.

‘Është domosdoshmëri përgatitja e fazës së akomodimit për ata që janë sot në hotele dhe për ata që janë në zonën rurale. Kam një merak shumë të madh për ata që janë në zonën rurale lidhur me nevojën për tu garantuar cilësi maksimale të tendave. Ministria e Mbrojtjes po punon çdo ditë së bashku me drejtuesin e plotfuqishëm , ministrin e Turizmit dhe Shtabin e Emergjencave në Durrës e Lezhë. Ka filluar përpilimi i listave për ata që nuk kthehen dot në shtëpi që janë në hotel.

Duhet të fillojë identifikimi i të gjitha apartamenteve për tu marrë me qira nga shteti. Nuk do ti çojmë në kampe, nuk do ti çojmë në çadra. Por do ti çojmë në apartamente ku do të qëndrojnë me qira deri kur të bëhet rindërtimi. Rindërtimi do të zgjasë. Të gjithë ata të cilën nuk kthehen në shtëpi se e kanë të dëmtuar deri kur tu riparohet shtëpia duhet të qëndrojnë si njerëz në apartamente. 

Nuk është e lehtë se janë shumë. Nga ana financiare do ta përballojmë ne, jo me çdo çmim qiraje se nuk do të lejojmë abuzivizma, por me çdo çmim në kuptimin e kostos së përgjithshme. Objektivi është që pasi të kenë kaluar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në hotele si njerëz më vjen keq për të tjerët që mund të kenë menduar ose bërë ndonjë pronotim që të bëjnë Vitin e Ri apo Krishtlindjet në plazhin e Durrësit, është e pamundur. 

Duke filluar nga fillimi i janarit të fillojë kalimi i tyre në apartamente që të kenë minimumin jetik dinjitoz, jo në apartamente që të shkojnë të shtrihen në tokë, por me pajisjet minimale të domosdoshme, me mundësi që të ushqehen dhe një kuotë të caktuar si dhe ndihma ushqimore’, tha Rama.

(Kosova Sot Online)