Haradinaj thotë se dikush po i mashtron të ardhurit nga Shqipëria se do të dërgohen në Gjermani

  • 02 December 2019 - 11:52
Haradinaj thotë se dikush po i mashtron të ardhurit nga Shqipëria se do të dërgohen në Gjermani

Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga të gjithë qytetarët, shoqëria civile por edhe subjektet politike që të tregohet kujdes me personat e ardhur nga Shqipëria, të cilët kanë hyrë në territorin e Kosovës, pas tërmetit të 26 nëntorit që la të vdekur 51 njerëz.

“Çdo shtetas i Shqipërisë, që hyn në territorin e Kosovës, nuk do të mbetet pa strehë, por nuk është në rregull një zhvendosje pa kritere e njerëzve që vijnë nga zonat që nuk janë prekur nga tërmeti. Dikush po i mashtron njerëzit, po i mbush autobusët po i sjell në kushte të vështira, është dimër, nuk është në rregull. Keqpërdorimi i kësaj gjendje nuk është në rregull, duhet të ketë kujdes”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj, ndërkaq u ka bërë thirrje qytetarëve nga zonat e paprekura nga tërmeti në Shqipëri, që të mos të vijnë në Kosovë, me pretendimin se nëse hyjnë në Kampin Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren, mund të dërgohen në shtetin e Gjermanisë. Kjo, sipas tij, nuk është e vërtetë.

Pas tërmetit, i cili ka goditur Shqipërinë më 26 nëntor, numri i personave të ardhur nga ky shtet dhe që kanë hyrë në territorin e Kosovës, ende nuk dihet saktësisht nga institucionet e Kosovës.

Tërmeti me magnitudë 6.4 ballë të Rihterit, i cili ka goditi Shqipërinë, ka qenë më i fuqishmi që ka goditur këtë vend gjatë dekadave të fundit dhe për pasojë ka lënë 51 persona të vdekur, mijëra të lënduar dhe mbi 5 mijë persona të pastrehë, si pasojë e shembjeve, dëmtimeve serioze dhe rrezikshmërisë që paraqesin vendbanimet e tyre.

(Kosova Sot Online)