Tigri indian udhëtoi rreth 1300 kilometra për pre dhe partnere

  • 02 December 2019 - 15:23
Tigri indian udhëtoi rreth 1300 kilometra për pre dhe partnere

Një tigër në Indi e ka bërë udhëtimin më të gjatë që është regjistruar ndonjëherë, duke ecur për rreth 1300 kilometra për pesë muaj.

Ekspertët besojnë se tigri i gjinisë mashkullore, i moshës dyvjeçare e gjysmë, ka mundësi ta ketë bërë rrugëtimin e gjatë për të gjetur ushqim, partnere apo territor të ri.

Tigri i pajisur me pajisje për përcjelljen e vendndodhjes u largua nga vendstrehimi i tij në rajonin Maharashtra në qershor. Ai më pas kishte udhëtuar përreth fermave, lumenjve dhe autostradave.

Deri më tash, tigri ishte futur në konflikt me njerëzit vetëm një herë, kur e kishte lënduar një person.

Prej largimit nga vendbanimi i tij, tigri ka udhëtuar nëpër shtatë distrikte të ndryshme të rajonit Maharashtra dhe në rajonin fqinj, Telangana.

Zyrtarët për kafshë të egra thanë se tigri nuk ka udhëtuar në mënyrë lineare. Kjo kafshë po përcillet përmes sistemit GPS për çdo orë dhe deri tash janë regjistruar pesë mijë vendndodhje të ndryshme të tij.

Tigri qëndronte i fshehur gjatë ditës dhe udhëtonte natën, duke zënë derra të egër dhe bagëti për t’i ngrënë, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)