Rusia miraton ligjin që gazetarët i cilëson si agjentë të huaj

  • 03 December 2019 - 12:30
Rusia miraton ligjin që gazetarët i cilëson si agjentë të huaj

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, e ka nënshkruar ligjin që ua mundëson autoriteteve që gazetarët t’i shpallin “agjentë të huaj”. Analistët thonë se ky ligj mund të përdoret nga qeveria për t’i shënjestruar kritikuesit e saj.

Sipas ligjit me shprehje të paqarta, qytetarët rusë dhe të huajt që punojnë në media dhe marrin të holla nga vendet e huaja do të shpallen agjentë të huaj. Nga ky ligj rrezikohen gazetarët, burimet e tyre dhe madje të gjithë personat që i shpërndajnë shkrimet e këtyre gazetarëve në rrjetet sociale.

Gazetarët dhe aktivistët për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar këtë masë si taktikë të frikshme për t’i luftuar kritikat ndaj qeverisë së Putin-it.

Në një letër të publikuar javën e kaluar, më shumë se 60 gazetarë të njohur, shkrimtarë e aktivistë kërkuan nga presidenti rus që të mos e nënshkruajë ligjin e ri.

“Termi ‘agjent i huaj’ është një frazë me karakter të mprehtë negative. Etiketimi i dikujt me këto fjalë e diskrediton atë në sy të qytetarëve”, thuhet në letrën e dërguar në Kremlin.

Alexei Venediktov, redaktor i radios “Ekoja e Moskës”, tha se ky ligj është nxitur pjesërisht nga protestat e verës së kaluar, në të cilat morën pjesë mijëra protestues.

“Kjo ka të bëjë me sulm selektiv për të shkaktuar frikë totale dhe pengesa për protestuesit dhe mediat, duke i përdorur të gjitha informatat që i kanë në dispozicion”, tha ai.

Në regjistrin rus të mediave me agjentë të huaj ndodhen faqet e lidhura me radion Evropa e Lirë dhe Zërin e Amerikës, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)