Gati gjysma e pallateve në Laç shpallen të pabanueshëm paraprakisht

  • 03 dhjetor 2019 - 17:50
Gati gjysma e pallateve në Laç shpallen të pabanueshëm paraprakisht

Në pallatin 45, i cili ndodhet në afërsi të Bashkisë së Kurbinit ka mbetur vetëm Pashku. Ai ka një lokal bar kafe në katin e parë të këtij objekti dhe vijon ta mbajë hapur.

“Pallati është nxjerr i pabanueshëm. Të gjitha familjet janë larguar. Unë e kam mbajtur hapur lokalin, duke qenë se jam na katin e parë dhe nuk shoh ndonjë rrezik” thotë ai.

Veç pallatit 45 në bashkinë e Kurbinit janë verifikuar dhe konsideruar të pabanueshme deri në 2 dhjetor 43 pallate, 11 institucione publike përfshi vetë godinën e bashkisë dhe 135 banesa. Qyteti ndërkohë është boshatisur, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Qendra Operacionale e Emergjencave në Lezhë raportoi rreth 1230 persona nga Kurbini të zhvendosur dhe strehuar në hotele, çadra apo te të afërmit. Statistika përfshin vetëm të strehuarit prej emergjencave, por qindra banorë janë zhvendosur nga paniku te të afërm në qytete të tjera.

Ndërkohë numri i pallateve të shpallura të pabanueshme paraprakisht është rritur dhe pritet të ndryshojë me vlerësimet e reja edhe pse përfaqësues të bashkisë Kurbin thanë se vlerësimi i saktë do të bëhej prej ekspertëve të huaj dhe atyre që vinin nga Tirana.

“Specialistët tanë kanë bërë një verifikim paraprak në të gjitha objektet që kanë pësuar dëmtime, por nuk kanë qenë në gjendje të paraqesin rrezikshmerinë dhe kanë përjashtuar vetëm ato pallate që kemi bllokuar deri tani”, tha Rudolf Toma, përfaqësues i Bashkisë Kurbin.

(Kosova Sot Online)