Ja kush paralajmëron: Gjendje alarmante në shkollat e Kosovës

  • 03 dhjetor 2019 - 17:54
Ja kush paralajmëron: Gjendje alarmante në shkollat e Kosovës

Rezultatet e PISA-s, edhe kësaj radhe po e dëshmojnë qartë dështimin e institucioneve kosovare, përkatësisht të atyre edukativo-arsimore.

"Ministria e Arsimit e Kosovës duhet të nxjerrë ligj të ri, të posaçëm, dhe t'i ndëshkojë të gjithë nxënësit problematikë; t'i ndëshkojë ata nxënës që në vazhdimësi pengojnë procesin mësimor dhe që nuk lejojnë mësimdhënësit ta kryejnë si duhet punën e vet. MAShT-i duhet t'i plotësojë kushtet nëpër shkolla dhe të mundësojë një numër solid të nxënësve nëpër klasa, jo nga 35 e 45", kështu thotë profesori Mentor Hajrizi, elaborimin e të cilit në vijim mund t'a lexoni të plotë pa ndërhyrjen e redaksisë...

GJENDJE ALARMANTE NË SHKOLLAT NË KOSOVË

Aspak nuk është e mirë gjendja në shkollat në Kosovë.

Rezultatet e PISA-s po e dëshmojnë qartë dështimin e institucioneve kosovare, përkatësisht të atyre edukativo-arsimore.

Si më parë, po edhe tani për këto rezultate natyrisht se gjykimi i parë është për mësimdhënësit kosovarë.

Kush mendon kësisoj?

Mendojnë të gjithë ata që nuk janë pjesë e arsimit në Kosovë, por natyrisht se mendojnë e gjykojnë gabim.

Aq sa kam përvojë në mësimdhënie, nuk ka mësimdhënës që shkon në shkollë dhe u drejtohet nxënësve me thirrje negative: Mos mësoni! Mos ejani në shkollë! Sillni probleme! Mos i dëgjoni mësuesit!

Thirrja e mësimdhënësve është pozitive, madje unike: Mësoni dhe respektoni!

Fjala më e shpeshtë e tyre dhe më e veçanta është, se, misioni i mësimdhënësit nuk është të qortojë e të largojë nxënësit nga klasa e shkolla, por t'i mësojë ata.

A e dini ju se me sa probleme e sa probleme merren mësimdhënësit? A e dini pse ndodhin këto probleme e pse këto rezultate?

1. Derisa nxënësit i kanë të gjitha të drejtat, kështu do të jetë përgjithmonë ky rezultat. Çfarë të bëjë i gjori mësimdhënës?

2. Mësimdhënësi përdor mjaftueshëm strategji të mësimdhënies bashkëkohore, por nxënësi nuk i merr edhe për bazë dhe tërësisht vjen i papërgatitur në shkollë.

3. Prindërit nuk merren me fëmijët e tyre (pjesa më e madhe) dhe ata (nxënësit) nuk janë aspak seriozë më.

4. Etj.

Po e theksoj prapë se më shumë se secili mësimdhënës, nxënësi ka të drejtë.

E tmerrshme është gjendja në shkollat në Kosovë, e më së paku fajtorë duhet të ndihen mësimdhënësit tanë.

Punën e vlefshme që mësimdhënësi e bën, nuk e bën askush tjetër.

Ministria e Arsimit e Kosovës duhet të nxjerrë ligj të ri, të posaçëm, dhe t'i ndëshkojë të gjithë nxënësit problematikë; t'i ndëshkojë ata nxënës që në vazhdimësi pengojnë procesin mësimor dhe që nuk lejojnë mësimdhënësit ta kryejnë si duhet punën e vet. MAShT-i duhet t'i plotësojë kushtet nëpër shkolla dhe të mundësojë një numër solid të nxënësve nëpër klasa, jo nga 35 e 45.

Përndryshe, gjendja në shkollat tona do të vazhdojë të jetë alarmante e me probleme të theksuara dhe me rezultate të tmerrshme të PISA-s.

(Kosova Sot Online)