107-vjetori i ushtrisë, Meta: Tërmeti tragjik nxori në pah domosdoshmërinë e modernizimit

  • 04 December 2019 - 09:01
107-vjetori i ushtrisë, Meta: Tërmeti tragjik nxori në pah domosdoshmërinë e modernizimit

107-vjetori i krijimit të ushtrisë e gjen Shqipërinë në një moment tragjik pas tërmetit që goditi vendin duke lënë 51 viktima. Presidenti Ilir Meta thotë se ky përvjetor i gjen forcat tona të armatosura, në krye të solidaritetit dhe ndihmës për vëllezërit e motrat shqiptare. Megjithatë, thotë kreu i shtetit, kjo ngjarje e tragjike nxori në pah dhe domosdoshmërinë e modernizimit të mëtejshëm të ushtrisë shqiptare.

“Me konsideratat më të larta, ju shpreh sot urimet më të ngrohta të gjithë burrave dhe grave në uniformë të Forcave tona të Armatosura, me rastin e 107-vjetorit të Ushtrisë Shqiptare! Falenderim dhe mirënjohje për kontributet e vyera, përkushtimin heroik dhe sakrificat sublime për mbrojtjen e Atdheut dhe Sigurisë Kombëtare, për operacionet humanitare e paqeruajtëse, si dhe për garantimin e lirisë, paqes e stabilitetit kudo në botë, nën flamurin e NATO-s.

Ky 107-vjetor, i gjen Forcat tona të Armatosura, në krye të solidaritetit dhe ndihmës për vëllezërit e motrat shqiptare të prekur rëndë nga pasojat e tërmetit tragjik, duke spikatur me profesionalizmin, përkushtimin dhe dashurinë për të shpëtuar banorët e mbetur nën rrënojat e kësaj fatkeqësie natyrore shkatërrimtare, që nxorri në pah dhe domosdoshmërinë e modernizimit të mëtejshëm të ushtrisë shqiptare. Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë! Lavdi dëshmorëve që dhanë jetën për Atdhe dhe Flamur” tha Meta.

(Kosova Sot Online)