Ilir Meta ndan medalje për ushtarët e FKS’së që ndihmuan Shqipërinë e goditur nga tërmeti

  • 04 December 2019 - 12:26
Ilir Meta ndan medalje për ushtarët e FKS’së që ndihmuan Shqipërinë e goditur nga tërmeti

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, po qëndron sot në Kosovë. Në një organizim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, kreu i shtetit shqiptar ka ndarë medalje për të gjithë ushtarët e FSK’së të cilët i dolën në ndihmë zonave të prekura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.

Haradinaj ka thënë se shqiptarët janë më unik se kurrë dhe që nuk ka tërmet që e ligështon këtë relacion.

Njoftimi i plotë i Haradinajt:

Ne jemi unik si kurrë më parë, sepse të bashkuar s’ka tërmet që na ligështon!

Sot, jemi të gjithë të nderuar nga Presidenti shqiptar Ilir Meta, me ndarjen e dekoratave për njësitet e kërkim shpëtimit të Kosovës që shërbyen për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit tragjik.

Këtë nder na e krijoi Ushtria jonë, e cila me profesionalizëm e në heshtje, pa mburrje e vet-reklamë kreu misionin e saj të shenjtë kushtetues dhe patriotik, që ia ka besuar populli i Kosovës!

Me gatishmërinë tonë, duke vënë në funksion të gjithë mekanizmat shtetëror ndaj vëllezërve dhe motrave andej kufirit, morëm një mesazh historik, se ne shqiptarët nuk jemi më në dimrin e vetmisë së madhe.

Jemi rritur vetë dhe kemi shumë miq që na duan.

Krenar me Forcën tonë!

(Kosova Sot Online)