Bosnja merr për herë të parë kontrollin e plotë të hapësirës së vet ajrore

  • 04 December 2019 - 15:30
Bosnja merr për herë të parë kontrollin e plotë të hapësirës së vet ajrore

Bosnja e Hercegovina do ta marrë për herë të parë kontrollin e plotë të hapësirës së vet ajrore që nga lufta e viteve të nëntëdhjeta për pavarësi. Deri më tash, kjo hapësirë ishte kontrolluar fillimisht nga NATO-ja e më pas nga Kroacia e Serbia.

Aleanca e NATO-s ishte përgjegjëse për hapësirën ajrore të Bosnjës nga viti 1995, kur kishte përfunduar lufta, deri në vitin 2003, kur atë e kishin marrë nën kontroll vendet fqinje të saj, Kroacia dhe Serbia. Kjo gjë zgjati deri në dhjetor të këtij viti, kur Bosnja e përfundoi procesin e ndërtimit dhe modernizimit të sistemit të vet.

“Kjo është hera e parë që Bosnja e merr kontrollin e hapësirës ajrore dhe ky është një sukses shumë i madh, duke pasur parasysh se Mali i Zi, anëtar i NATO-s, nuk e kontrollon vetë qiellin e tij”, tha Davorin Primorac, kryetar i Agjencisë Boshnjake të Shërbimeve Ajrore.

Në vitin 2014, Bosnja e kishte marrë kontrollin e hapësirës ajrore deri në 10 mijë metra lartësi pas trajnimit të një stafi prej 400 anëtarësh, ndërsa Serbia dhe Kroacia vazhduan ta mbanin nën kontroll hapësirën me lartësi mbi 10 mijë metra.

Primorac tha se Bosnjës i janë dashur disa dekada për ta marrë kontrollin e hapësirës ajrore për shkak të shkatërrimit të madh të infrastrukturës dhe pajisjeve gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Prej tash e tutje, kontrollorët boshnjakë do t’i përcjellin rreth 1600 fluturime në ditë, tetë herë më shumë se në të kaluarën, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)