Burrat e dhunshëm: 785 gra viktima të dhunës në familje për gjashtë muaj

  • 04 December 2019 - 15:54
Burrat e dhunshëm: 785 gra viktima të dhunës në familje për gjashtë muaj

Kosovarët po vazhdojnë dhunën psikike e fizike ndaj grave të tyre. Vetëm në vitin 2018, 1229 gra kanë qenë viktima të dhunës në familje, ndërkaq për gjashtë muaj të vitit 2019, numri i grave të keqtrajtuara nga burrat shkon në 785.

E kishte goditur bashkëshorten e tij me telefon në kokë, duke i shkaktuar kështu çarje të thellë në kokë.

Por nuk i mjaftoi dhuna që ia shkaktoi gruas. A.A., nuk e lejoi djalin ta dërgojë nënën në spital, por e dërgoi vetë, pasi rrugës kishte disa fjalë për të.

Gjatë rrugës për në spital, ai e kërcënoi bashkëshorten që të mos tregojë se çka ka ndodhur në shtëpi, madje e mësoi se çka të flasë atje.

E detyruar nga bashkëshorti, gruaja gënjeu në spital se është lënduar në mobile të shtëpisë.

E tërë kjo ngjarje kishte ndodhur në prani të fëmijëve, të cilët njëjtë si e ëma e tyre, nuk i kishin shpëtuar dajakut nga babai.

Tani, Prokuroria Themelore e Gjilanit po kërkon paraburgim për babanë e bashkëshortin e dhunshëm.

A.A., nga Vitia nuk është burri i vetëm kosovar që çon dorë ndaj gruas së tij.

Në statistikat që media i ka siguruar nga Policia e Kosovës, thuhet se përgjatë vitit 2018, në 1533 raste të dhunës në familje, viktima kanë qenë 1229 gra.

“Gjatë vitit 2018 janë raportuar gjithsej 1533 raste të dhunës në familje  ku nga këto raste kemi: Viktima femra: 1229”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Për shkak të numrit të madh të rasteve të dhunës ndaj grave, Policia e Kosovës thotë se është angazhuar që dhuna në familje të trajtohet me  profesionalizëm.

“Policia e Kosovës si zbatuese e ligjit është e angazhuar që dhuna në familje të trajtohet me një seriozitet dhe profesionalizëm të lartë. Në këtë drejtim në polici janë ngritur departamente dhe sektorë të veçante me profesionist të trajnuar për t’i ofruar viktimave të dhunës në familje shërbime adekuate, mbrojtje dhe siguri si dhe për trajtim profesional të rasteve të tilla”, thekson zyra për informim e PK’së. 

Ndërkaq në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, në Policinë e Kosovës janë raportuar 785 raste të dhunës në familje.

“Gjatë periudhës Janar -Qershor 2019 (gjashtë mujori i parë),  janë raportuar 785 raste të dhunës në familje ku nga këto raste kemi: Viktima femra: 620 raste”, thuhet në përgjigjen e policisë për media.

Por, ka pasur raste kur dhuna e burrave ndaj grave të tyre ka përfunduar edhe me tragjedi.

Një rast i tillë kishte tronditur vendin në verën e këtij viti. Armenda Velija u vra nga bashkëshorti i saj Bajram Velija.

Të dy kishin ardhur nga Zvicra në Kosovë për pushime, por një zënkë në mes çiftit kishte eskaluar deri në përdorim të armës së zjarrit nga ana e 61-vjeçarit ndaj gruas së tij 42 vjeçe. 

Bajram Velija kishte shkrepur 15 plumba mbi trupin e gruas, duke e lënë të vdekur në vend.

E deri më tani, ndaj tij nuk është ngritur ende aktakuzë. Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Prizren, në pritje të një vendimi.

Në fillim, atij i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj, e më pas i është vazhduar edhe për dy muaj të tjerë.

Ndërkaq, për të parandaluar dhunën në familje dhe për të vetëdijesuar qytetarët se dhuna nuk është zgjidhje, Policia e Kosovës është duke mbajtur aktivitete në kuadër të fushatës kundër dhunës ndaj grave, “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës ndaj gruas”. 

Një takim i tillë është mbajtur të martën në Drenas, ku kanë marrë pjesë nxënës të shkollave të mesme.

Ndërkaq në Fushë Kosovë pjesë e ligjëratës kanë qenë qytetarë nga komuniteti RAE.

(Kosova Sot Online)