“Zinxhiri i krimit në Kosovë”, kërkohet konfiskimi i pasurisë së oligarkëve

  • 04 December 2019 - 19:14
 “Zinxhiri i krimit në Kosovë”, kërkohet konfiskimi i pasurisë së oligarkëve

“Në Kosovë zinxhiri kriminal është i gjatë. Në atë zinxhir janë të kapur me mijëra persona, duke filluar nga politikanët, oligarkët, prokurorët, gjykatësit, avoketërit, mjekët, profesorët, zyrtarët e lartë dhe të ulët etj. Nëse këputet ai zinxhir këta bien të gjithë. Por prapë kam shumë pak shpresë që ai zinxhir do të këputet”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

 

Njohësit e zhvillimeve politike në vend, duke analizuar procesin shtetndërtimit në këto dy dekada, ngecjet në sundimin e ligjit, mungesën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, pasurimin e shpejtë e të kundërligjshëm të zyrtarëve të lartë të shtetit, theksojnë se është e pa mundur që në këtë shtet të ri të kemi drejtësi efektive, të pavarur dhe të përkushtuar në luftimin e të gjitha këtyre dukurive negative, nëse nuk janë edhe për një kohë “kujdestarët” ndërkombëtar që tërheqin vërejtjen për secilin skandal që e shohin.

Duke qenë kjo mungesë e vullnetit të politikës dhe drejtësisë kosovare që t’i zbatojnë ligjet në fuqi për zhvillimin e shtetit të së drejtës pa krim e pa korrupsion, ndërkombëtarë vazhdimisht tërheqin vërejtje se si po pasurohen shpejtë dhe kundërligjshëm njerëzit e politikes, të cilëve duhet të iu verifikohet ajo pasuri, dhe të iu konfiskohet gjithçka që është krijuar me abuzime të mëdha, që në vend të biznesit të ndershëm kanë bërë edhe pastrim të parave dhe janë bërë multimilionerë brenda natës. 

Këtë shqetësim e shprehu edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbot, i cili çuditet me pasurimin e shpejtë të kosovarëve dhe me veshjet e tyre të shtrenjta, prandaj kërkoi edhe konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra kriminale e zhvatje të shtetit, duke përfshirë këtu edhe pastrimin e parave të pista. 

“Me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme do të kthehet besimi në drejtësi dhe do të rritet kostoja e dënimeve të veprave penale. Kosova është një vend në zhvillim, shohim hotele dhe kafiteri luksoze, veshje dhe mënyra e të jetuarit në s’përputhje…Kjo nuk bëhet nga puna e rregullt, ju duhet ta hetoni të shkatërroni skemat e parasë. Jo vetëm dënimet dhe konfiskimet varet nga ju. Puna e juaj nuk është e lehtë dhe pastrimi i parasë ka përmasa globale. Çfarëdo dështimi të konfiskimit të parasë do të reflektoj në vendet e tjera përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar. Ne jemi të gatshëm të ju ndihmojmë në këtë fushë. Në kudër të këtij procesi ne do të mbështesim një varg listash, si vlerësimin rajonal dhe financimin terrorizmit, zbatimi i ligjit dhe mbi të gjithë luftimi i korrupsionit”, ka thënë ambasadori britanez Nicholas Abbot gjatë një debate në Prishtinë me strukturat e sistemit të drejtësisë.

Image
Faik Krasniqi

Lidhur me këtë gjendje dhe këtë angazhim ndërkombëtar për një shtet të së drejtës, për “Kosova Sot Online” ka folur edhe analisti politik, Faik Krasniqi. 

Sipas tij,  edhe ky minimum i funksionimit të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, është arritur vetëm falë angazhimit të vazhdueshëm të miqve ndërkombëtar, pasi politikanët kosovarë nuk e kanë këtë vullnet. 

“Sundimi i ligjit në Kosovë është vështirë të ndodhë. Politikanët nuk janë të interesuar që në këtë vend të kemi sundim të ligjit, sepse një pjesë e madhe e tyre janë të përfshirë në afera kriminale dhe korruptive. Oligarkët nuk janë krijuar vetvetiu, por ata i ka krijuar politika për interesat e tyre personale”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, lidhja kriminale që funksionon në Kosovë përfshin shumë hallka në një zinxhir të gjatë, dhe rënia e njërit i shkatërron të gjithë. 

“Në Kosovë zinxhiri kriminal është i gjatë. Në atë zinxhir janë të kapur me mijëra persona, duke filluar nga politikanët, oligarkët, prokurorët, gjykatësit, avoketërit, mjekët, profesorët, zyrtarët e lartë dhe të ulët etj. Nëse këputet ai zinxhir këta bien të gjithë. Por prapë kam shumë pak shpresë që ai zinxhir do të këputet”, shtoi Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas tij, shkëputja e këtij zinxhiri korruptiv mundë të arrihet vetëm me mbështetje akoma më të fuqishme të faktorit ndërkombëtar. 

“Presioni ndërkombëtar gjithmonë e ka efektin e vetë që jep rezultat, por jam pesimistë që do të bëjnë një presion të tillë. Janë çështje fjalësh, dhe në fund prapë se prapë nuk ndodh asgjë. Të korruptuarit nuk mund ta luftojnë korrupsionit, prandaj kërkesa e ambasadorit britanik me duket pak absurde. Edhe ai është i vetëdijshëm për një gjë të tillë”, përfundoi Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)