Kërkohet ndërhyrja e SHBA-së dhe BE-së: Kështu çlirohet Kosova nga krimi i organizuar

  • 05 December 2019 - 07:37
Kërkohet ndërhyrja e SHBA-së dhe BE-së: Kështu çlirohet Kosova nga krimi i organizuar

“Faktori ndërkombëtare SHBA dhe BE duhet t'i bëjnë presion politikës dhe drejtësisë në Kosove që të miratojnë ligjin e VETTING-ut, dhe është mirë që përkohësisht sistemi i drejtësisë në Kosovë të vihet nën një mbikëqyrje dhe monitorim të rreptë e deri në një mas pse jo edhe nën një protektorat juridik ndërkombëtar, nën drejtimin e juristëve profesionistë amerikan e gjerman, derisa të formohet një edukatë moralo-juridike dhe një plejadë juristësh të rinj të pastër, të aftë, të papëlqyer e të pa trashëgimi krimi e korrupsioni”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Njohësi i fushës të së drejtës, Skënder Kapiti, duke krahasuar nivelin e krimit dhe korrupsionit që është evidentuar në Shqipëri, dhe atë për të cilin po alarmohet në shtetin e Kosovës, konsideron se ka një ngjashmëri të madhe. Prandaj sipas tij, njësoj sikur që ndërhynë ndërkombëtarët në Shqipëri për t’i dhënë grushtin këtij fenomeni kancer për shtetin, ashtu duhet të veprojnë edhe në Kosovë. Ndryshe është e kotë të priten suksese në këtë fushë, nëse gjithçka lihet në mëshirën dhe vullnetin e zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar.

Image
Skender Kapiti

“Korrupsioni është i pashmangshëm dhe ka në çdo vend të botës. Por korrupsioni në Shqipëri dhe në Kosovë është traumë dhe fatkeqësi kombëtare. Kjo për arsye se si Shqipëria, ashtu edhe Kosova si një shtet i ri, i pazhvilluar dhe i pa punë e vend i varfër. Por, tjetra që është akoma dhe më e rëndë, Kosova është edhe vendi ku nuk qeverisë ligji dhe ku korrupsioni dhe hajnia e paraja e pistë bëjnë ligjin dhe batërdinë, politika, pushteti, paraja e pistë dhe mafia oligarko-kriminale e tyre dhe e drejtësisë e kanë kapur shtetin, pushtetin, shoqërinë, biznesin, ligjin, pasurinë dhe paranë dhe nuk janë aspak të interesuara për zhvillimin, progresin, për shtetin ligjor dhe as për mirëqenien e përgjithshme, as për shëndetësinë, as për strehimin dhe as për arsimin por vetëm për interesin privat, familjar e pasurimin e tyre”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kapitit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është instaluar sundimi i një kaste oligarkësh hajdutesh, amoralësh, të korruptuarish të cilët nuk dinë se çfarë të bëjnë as me paranë, as me pasurinë, as me luksin e shfrenuar dhe as me pushtetin politik, për të cilat arsye duhet forcuar legjislacioni dhe konfiskuar pasuria e fituar me rrugët e pa ligjshme.

“Prandaj është mëse e nevojshme dhe më se ligjore konfiskimi i pasurisë së tyre të fituar me korrupsion, hajni, krim dhe me lloj-lloj metodash kriminalo-antiligjore. Gjendja ka arritur deri në atë masë sa që kjo shtresë oligako-korruptive e ka paralizuar si shtetin edhe shoqërinë, dhe pa ndërhyrjen ndërkombëtare nga SHBA dhe BE është pothuajse i pamundur çmontimi i këtij sistemi korruptivo-kriminal i politikës dhe i drejtësisë në Kosovë. Kjo rezyme luksi e pabarazie sociale ekstreme, ky revansh i pa mas, agresiv dhe i pa justifikueshëm dhe jo llogaridhënës i korrupsionit dhe krimit të tij po e kërcënon pavarësinë dhe sovranitetin kombëtar, të cilin mundë dhe duhet ta ndaloje ligji dhe faktori ndërkombëtar”, theksoi Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Kapiti thotë se nëse SHBA dhe BE mendojnë se kjo do të bëhet duke e izoluar Kosovën, kjo do ta shtonte fatkeqësinë dhe do të ishte ndëshkim për popullin e Kosovës, dhe jo për oligarkinë dhe krimin e korrupsionin e saj, sepse është pikërisht klasa oligako-kriminale dhe korruptive në Kosovë ajo e cila nuk dëshiron integrimin Kosovës në BE.

“Kjo pasi një Kosovë e integruar në BE nuk do ta lejonte këtë klasë politike dhe këtë sistem drejtësie të funksionon kaq barbarisht dhe kriminalisht kundër interesave publike e kombëtare të shqiptarëve. Faktori ndërkombëtare SHBA dhe BE duhet t'i bëjnë presion politikës dhe drejtësisë në Kosove që të miratojnë ligjin e VETTING-ut, dhe është mirë që përkohësisht sistemi i drejtësisë në Kosovë të vihet nën një mbikëqyrje dhe monitorim të rreptë e deri në një mas pse jo edhe nën një protektorat juridik ndërkombëtar, nën drejtimin e juristëve profesionistë amerikan e gjerman, derisa të formohet një edukatë moralo-juridike dhe një plejadë juristësh të rinj të pastër, të aftë, të papëlqyer e të pa trashëgimi krimi e korrupsioni”, përfundoi Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)