Nuk e bëri Qeveria Haradinaj, paralajmërohet ‘goditja’ e madhe për Devollët

  • 05 December 2019 - 07:49
Nuk e bëri Qeveria Haradinaj, paralajmërohet ‘goditja’ e madhe për Devollët

“Ndërprerja e monopolit në homologimin e veturave, do të jetë goditje e dyfishtë për mafio-oligarkët politik dhe ata ekonomik, që zhvatën për më tepër se një dekadë qytetarët e vendit tonë”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas informacioneve të bëra publike për media, nga organet e hetuesisë janë marr në pyetje dhe intervistuar shtatë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, në lidhje me dy marrëveshjet e këtij institucioni, që ia mundësonin kompanisë “Eurolab” monopolin në homologimin e veturave.

Edhe pse qeverisë Haradinaj i ishte bërë thirrje që ta heq monopolin në homologim, monopol të cilin e kanë Devollët, ajo nuk bëri diçka të tillë.

Analistët politikë konsiderojnë se tani kjo çështje i ka mbetur “patate e nxehtë” në dorë qeverisë në ardhje të Albin Kurtit, në koalicion me LDK-në.

Të dy këto subjekte politike, sipas analistit politik, Florim Zeqa janë zotuar edhe gjatë fushatës elektorale se do t’i luftojnë dhe heqin të gjitha monopolet që i krijuan qeverisjet e mëhershme, prandaj duhet ta mbajnë fjalën tani.

Image
Florim Zeqa

“Intervistimi nga hetuesia i shtatë personave, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, në lidhje me dy marrëveshjet e këtij institucioni, që ia mundësonin kompanisë “Eurolab” monopolin në homologimin e veturave, është tregues për vazhdimin e monopolit kriminal në homologim. Edhe përkundër thirrjes së qytetarëve drejtuar qeverisë Haradinaj për heqjen e monopolit në homologim, monopol të cilin e kanë Devollët, ajo nuk bëri diçka të tillë. Prandaj unë mendoj se Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti, duhet të ndërmerr menjëherë veprimet për ndërprerjen e monopolit zhvatës në homologim, ose do të bjerë edhe ajo në "llupën" e krimit të organizuar”, tha analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, nëse arrihet të ndërpritet monopoli në homologim, atëherë ky do të jetë një sukses i madh i koalicionit të ri qeverisës, por edhe goditja e parë e madhe e krimit të organizuar.

“Ndërprerja e monopolit në homologimin e veturave, do të jetë goditje e dyfishtë për mafio-oligarkët politik dhe ata ekonomik, që zhvatën për më tepër se një dekadë qytetarët e vendit tonë”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)