MKRS’ja fillon t’ia lëshojë vendin Presidencës

  • 05 December 2019 - 11:36
MKRS’ja fillon t’ia lëshojë vendin Presidencës

Protestat e punëtorëve të Ministrisë së Kulturës kundër zhvendosjes së administratës së kësaj ministrie nga objekti zyrtar në një objekt privat për t’i lëshuar vend Presidencës, duket se kanë hasur në vesh të shurdhër, raporton Express.

Kabineti i ministrit në largim të MKRS-së, tashmë janë duke përgatitur dokumentacionin dhe inventarin përkatës për zhvendosje në objektin privat.

Lajmi për këtë është bërë i ditur nga Këshilli Organizativ i Protestës, të cilët thanë se kjo gjë po bëhet pa asnjë procedurë administrative dhe në kundërshtim me ligjin.

“Është e pa precedent që pasuria e MKRS, po zhvendoset nga persona jo kompetent që më nuk kanë asnjë përgjegjësi institucionale dhe pa dijeninë e shërbimit te administratës. Kjo le të gjykohet vet nga opinioni se çfarë do të thotë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Sipas tyre, veprimet e Ministrit në detyrë janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, meqenëse mandati i tij ka përfunduar më 27 nëntor 2019.

“Sipas listës zyrtare të KQZ-së, z. Gashi është zgjedhur deputet me çka i përfundon angazhimi në cilësinë e Ministrit në detyrë, sipas nenit 70 pika 2 e Kushtetutës së Kosovës në të cilën theksohet qartë se mandati i deputetit fillon me certifikimin e rezultatit zgjedhor ne lidhje me nenin 72 – papajtueshmëria e funksionit te deputetit. Për këtë gjë, jemi në dijeni se ekziston edhe interpretim juridik nga ana e Zyrës Ligjore të Zyre së Kryeministrit në vitin 2017. Çdo veprim i tij pas datës 27 nëntor 2019 është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Këshilli Organizativ i Protestës i ka bërë thirrje stafit të kabinetit të ministrit në largim që të ndalojnë çdo veprim që janë duke e ndërmarrë për zhvendosje.

“Kjo përbën veprim të kundërligjshëm i cili cenon pasurinë dhe pronën e institucionit pa mandat dhe pa autorizim, si persona privat qe është e vepër e dënueshme. Në të kundërtën, i bëjmë thirrje institucioneve përkatëse ligjzbatuese që sipas detyrës zyrtare (ex officio) të hetojnë dhe ndalojnë veprimet në fjalë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, zhvendosja e stafit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga objekti aktual po bëhet për t’ i lëshuar vend Presidencës së Kosovës.

(Kosova Sot Online )