Një vdekje tjetër misterioze e një rusi në Britani, miliarderi u godit nga një makinë, derisa po shëtiste qenin e tij

  • 05 December 2019 - 13:59
Një vdekje tjetër misterioze e një rusi në Britani, miliarderi u godit nga një makinë, derisa po shëtiste qenin e tij

Një biznesmen rus që jetonte në Britani raportohet se është goditur nga një makinë dhe ka gjetur vdekjen ndërsa po shëtiste qenin e tij në Surrey.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, policia ka thënë se një burrë në të 40-at u rrëzua në Oxshott dhe më vonë vdiq, me mediat ruse që e emërtuan si Dmitry Obretetsky, një miliarder 49-vjeçar.

Në shtypin rus sot, miku i Obretetsky Pavel Borovkov pyeti nëse ai ishte vrarë me dashje.

Z. Borovkov citohet nga gazetat ruse duke thënë se Obretetsky ishte një banor i një kohe të gjatë në Britani, por shpesh kthehej në Rusi për të bërë biznes.

Duke komentuar për përplasjen fatale, ai tha: ‘E dini, njerëzit drejtojnë makinat me shumë kujdes në (Britani) … Nuk përjashtoj mundësinë që ai u godit qëllimisht’.

Policia e Surrey ka bërë apel për informacion mbi incidentin që përfshin tre makina.

Ata konfirmuan vdekjen dje, më shumë se një javë pas përplasjes së 25 nëntorit, por nuk e kanë emëruar njeriun që vdiq.

Kjo, sipas mediave britanike është vdekja e fundit e një serie vdekjesh misterioze të rusëve të shquar në zonë, pasi Badri Patarkatsishvili vdiq në një pronë afër Leatherhead në vitin 2008, Alexander Peripilichnyy vdiq pranë Weybridge në vitin 2012 dhe Boris Berezovsky vdiq pranë Ascot në vitin 2013.

Vdekja gjithashtu vjen në një kohë të tensioneve të ngritura midis Perëndimit dhe Rusisë pasi Gjermania dëboi dy diplomatët rusë për vrasjen e gjeorgjianit Zelimkhan Khangoshvili.

(Kosova Sot Online )