Rama kapet sërish me mediat: T’ua mbyllim gojën me ligj atyre që s’kanë çfarë thonë

  • 05 December 2019 - 15:07
Rama kapet sërish me mediat: T’ua mbyllim gojën me ligj atyre që s’kanë çfarë thonë

Gjatë fjalës së tij në parlament, kryeministri Edi Rama zbuloi shifra në lidhje me buxhetin e akorduar nga shteti për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor.

Rama u shpreh se buxheti angazhon një fond afro 20 miliardë lekë prej të cilave, 13 miliardë janë lekë si transfertë nga të ardhurat buxhetore dhe 7 miliardë janë të ardhura nga donacionet e ndryshme.

Por duket se Rama sërish ‘merakun’ e vet e ka me mediat, duke u shprehur se sipas tij në raste fatkeqësish ua mbyllin gojën në Japoni, Amerikë dhe Izrael.

“Meqë jemi në një situatë të jashtëzakonshme dua të ndaj me ju nevojën që në kuadrin e adresimit të problemeve të konstatuara, të marrim edhe shembullin e Japonisë, Amerikës, Izraelit që kur ndodhin fatkeqësi të këtyre përmasave jua mbyllin gojën të gjithë atyre që s’kanë ç’a thonë, jua mbyllin me ligj e nuk u jepet mundësia lloj – lloj të çorodisin e dëshpërojnë miletin.

Besoj se kjo do jetë, një nga gjërat që do adresojmë në reformën e përgjithshme ligjore në rastet e fatkeqësive të mëdha natyrore se nuk është e mundur që përveç halleve të mëdha populli të ketë edhe këtë hall të madh që me ditë e me netë bombardohet nga sharlatanë që shfaqen si sizmologë, inxhinierë, konstruktore e prokurorë”, tha Rama.

(Kosova Sot Online)