Përplasje për luftën e fundit, Thaçi e Haradinaj i përgjigjen Vuçiqit për masakrat në Kosovë

  • 06 December 2019 - 07:50
Përplasje për luftën e fundit, Thaçi e Haradinaj i përgjigjen Vuçiqit për masakrat në Kosovë

Gjithçka filloi me një deklaratë skandaloze të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq i cili masakrën e Reçakut e ka quajtur fabrikim.

“Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën, edhe unë e përsëris tani – krimi në Reçak është fabrikuar, ku gjithçka ka falsifikuar ai mashtruesi botëror, hajni dhe vagabondi William Walker”, ka thënë Vuçiq duke i kopjuar fjalë për fjalë pretendimet e ish shefit të tij dhe kriminelit të luftës Vojisllav Sheshel, të cilit para 20 vjetëve i shërbente birra nëpër mbledhje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kanë reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili e quajti masakrën e Reçakut “një trillim”.

Presidenti Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Twitter tha se “paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”

“Disa zyrtarë nga Serbia mohojnë disa nga krimet më të rënda kundër civilëve që ndodhën në Evropë, sikurse ishte Reçaku, të konfirmuara edhe nga Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish- Jugosllavi. Politikat serbe të gjenocidit nuk mund të mbrohen”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se “është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja”.

Vuçiq e bëri deklaratën, pasi u pyet nga gazetarët, që të komentojë dënimin me 2 vjet burgim nga ana e një Gjykate në Prishtinë, të ish-ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq.

Gjykata e shpalli fajtor politikanin serb për një deklaratë të bërë në mars, me rastin e 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë. Me atë rast, Teodosijeviq tha se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe.në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish – shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker.

E në mbështetje të këtyre deklaratave të Vuçiqit, ka dalë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, transmeton lajmi.net.

Gjuriq, ka thënë se, i njëjti grup siç tha ai, hakerësh që e trilluan masakrën e Reçakut, tani po e akzojnë presidentin Vuçiq, për të vërtetën dhe faktet.

“Unë do të kujtoj vetëm se “Figaro”, ka shkruar për Reçakun si një krim të fabrikuar, dhe se Heleh Rant dhe ekipi finlandez i patologëve, pasi të shohin faktet, thanë të njëjtën gjë si Ivan Todosijeviq që Reçaku ishte gënjeshtër”, deklaroi Gjuriq.

(Kosova Sot Online)