Thahet gati plotësisht Ujëvara e Victoria-s

  • 07 December 2019 - 08:16
Thahet gati plotësisht Ujëvara e Victoria-s

Për dekada të tëra, Ujëvara e Victoria-s, ku uji i lumit Zambezi bie 100 metra poshtë nga një shkëmb, i ka tërhequr miliona vizitorë nga e tërë bota për të shkuar në Zimbabve dhe Zambi dhe për ta parë këtë mrekulli natyrore.

Megjithatë, thatësira më e madhe në njëqind vjetët e fundit e ka zvogëluar shumë sasinë e ujit në këtë ujëvarë të famshme, duke ngjallur frikë se ndryshimet klimatike mund ta zhdukin njërën prej pikave më të famshme turistike.

Ndonëse uji i ujëvarës është gjithmonë më i paktë gjatë sezonit të gjatë, zyrtarët thonë se ujëvara këtë vit ka edhe më pak ujë se gjatë viteve të kaluara.

“Në vitet e kaluara, kur moti është i thatë, uji nuk ka qenë në këtë nivel”, thotë Dominic Nyambe, shitës i punimeve të dorës. “Kjo është hera e parë që po shohim një gjë të tillë”, shtoi ai.

Në kohën kur liderët botërorë janë mbledhur në Madrid për konferencën e ndryshimeve klimatike, ku do të bisedojnë për mënyrat e parandalimit të efekteve negative të kësaj dukurie, shtetet e jugut të Afrikës tashmë po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të ngrohjes globale.

Shumë burime uji, të cilat shfrytëzohen për furnizimin e popullsisë së asaj pjese me ujë të pijshëm, janë tharë dhe rreth 45 milionë njerëz kanë nevojë për ndihma ushqimore për shkak të rendimentit të ulët të të mbjellave, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)