Paralajmërimi: Kjo është sfida serioze për koalicionin Vetëvendosje-LDK

  • 07 December 2019 - 17:26
 Paralajmërimi: Kjo është sfida serioze për koalicionin Vetëvendosje-LDK

“Në rrafshin diplomatik nuk kemi të bëjmë me njohje dhe ç’njohje të shtetit të Kosovës. Kemi të bëjmë me njohje të rrejshme. Ato njohje nuk kanë ndodhur kurrë. Janë "njohje" që janë shitur në opinion si të vërteta. Mjafton të shikojmë se çfarë shtete na kanë "ç’njohur". Kryesisht shtete të varfra. Me një fjalë shtete pa shtet”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

 

Analistët politikë, qeverisjen e re nga koalicioni Vetëvendosje dhe LDK, e shohin një qeverisje me plotë sfida për të tejkaluar dhe riparuar dëmet të cilat i kanë shkaktuar qeverisjet deritanishme. 

Pas sundimit të ligjit, sfidë serioze do të jetë angazhimi për të ta riparuar dëmin e madh në politikën e jashtme të cilin ja ka shkaktuar për dy mandate Behgjet Pacolli, së bashku me Hashim Thaçin, pasi sipas analistëve, ishte pikërisht Hashim Thaçi në pozitën e kryeministrit, që e kishte aktivizuar Pacollin në politikën e jashtme në koalicionin e parë me AKR-në, dhe pavarësisht dështimit në atë mandat, Thaçi e ruajti këtë partneritet edhe në koalicionin PAN, duke arritur kulmin e dështimit dhe dëmit që ia ka sjellë shtetit të Kosovë në arenën ndërkombëtare.

Image
Faik Krasniqi

Lidhur me këtë, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Faik Krasniqi. 

Analisti Krasniqi është i sigurt që ato njohje që po deklarohen tani të tërhequra, nuk kanë ardhur asnjëherë për Kosovën, por kanë qenë mashtrime.

“Prandaj koalicioni LVV-LDK kanë shumë punë për ta vendosur në binarët e shëndoshë dhe të mbarë Politikën e Jashtme. Në rrafshin diplomatik nuk kemi të bëjmë me njohje dhe ç’njohje të shtetit të Kosovës. Kemi të bëjmë me njohje të rrejshme. Ato njohje nuk kanë ndodhur kurrë. Janë "njohje" që janë shitur në opinion si të vërteta. Mjafton të shikojmë se çfarë shtete na kanë "ç’njohur". Kryesisht shtete të varfra. Me një fjalë shtete pa shtet”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, politika e brendshme e një shteti ndikon shumë edhe në atë të jashtmen, prandaj Qeveria në ardhje duhet të fokusohet paraprakisht që të rregullojë të gjitha ato dështime që qeverisjet e deritanishme.

“Në politikën e jashtme kemi shumë punë për të bërë. Por së pari duhet të merremi me punët e brendshme, në mënyrë që të jemi të suksesshme edhe në arenën ndërkombëtare. Kur ke zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit, edhe në rrafshin ndërkombëtar të marrin seriozisht. Vijnë edhe njohjet edhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare”, deklaroi analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)