“Presidenti”, vjen goditja e rëndë për Vetëvendosjen dhe LDK-në

  • 08 December 2019 - 07:44
“Presidenti”, vjen goditja e rëndë për Vetëvendosjen dhe LDK-në

“Çështja e caktimit të presidentit duhet të shtyhet deri në kohën kur ai duhet të zgjidhet edhe për faktin, pasi të jenë për të gjitha përgatitjet ligjore dhe ndryshimet që kërkohen për zgjedhje nga populli, sepse ishte vetë kandidatja e LDK-së Vjosa Osmani, ajo e cila në fushatën zgjedhore, është angazhuar pikërisht për këtë çështje, duke theksuar në vazhdimësi se përfundimisht për LDK-në presidenti nuk do të jetë më çështje e pazareve të partive politike, por i zgjedhur nga qytetarët”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë po vazhdojnë ta kritikojnë ashpër insistimin e LDK-së që në pako për marrëveshjen e koalicionit qeverisës, të futet edhe posti i presidentit të Kosovës.

Sikur që dihet tanimë edhe në bazë të deklaratave të zyrtarëve të lartë të LDK-së, insistimi i këtij subjekti politik është që në këtë pozitë të zgjidhet kandidati që e propozon ky subjekt politik, edhe pse zyrtarisht nuk përmendet ndonjë emër, por tash për tash aludohet në figurën e kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Lidhur me këtë, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Gani Qarri, sipas të cilit të dy subjektet politike duhet hequr dorë nga pretendimet për këtë pozitë, pasi ka kohë të mjaftueshme të bëhen ndryshimet në kushtetutë dhe presidenti të zgjidhet nga populli.

Image
Gani Qarri

Madje Qarri thotë se këtë zotim, që Presidenti në mandatin tjetër të zgjidhet nga populli dhe jo me pazare politike, e ka dhënë vetë ish kandidatja e LDK-së për pozitën e kryeministres, Vjosa Osmani.

“Habit fakti se si ende pa u formuar qeveria e re, të kushtëzohet nga Isa Mustafa, me kaq kokëfortësi, që qysh tani të vendoset, që presidenti apriori ti takoj LDK-s, kur dihet fakti se ishte vetë kandidatja e LDK-së, për kryeministre të vendit,Vjosa Osmani, ajo e cila me dirigjimin nga treshja arkaike e LDK-së, Isa Mustafa, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri, përgjatë gjithë fushatën elektorale ka trumbetuar, që presidenti të mos jetë më çështje e pazareve të partive politike, por i zgjedhur me votën plebishitare nga qytetarët e vendit. Është koha e fundit që LDK dhe LVV, vërtetë të heqin dorë nga presidenti i pazareve politike dhe ta marrin më seriozisht ndryshimin e kushtetutës dhe reformën zgjedhore për zgjedhjen e një presidenti të votuar nga qytetarët dhe jo të katapultohet si Hashim Thaçi nga pazaret e shtrenjta politike, që ai president, pastaj sërish të mbetet kukull dhe zëdhënës i një partie të shumicës, sikur që po ndodhë tani me Hashim Thaçin, pa autoritet politik dhe fare pa respekt qytetar, i vënë fund e krye, vetëm në shërbim të PDK-së”, tha analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online” .

Prandaj, sipas Qarrit me ndryshimet kushtetuese për ta zgjedhur presidentin nga populli, do të tejkaloheshin më së miri mosmarrëveshjet për formimin e qeverisë se re, dhe kështu po humbet koha për fillimin e realizimit të shumë projekteve me interes për zhvillimin e vendit.

“Çështja e caktimit të presidentit duhet të shtyhet deri në kohën kur ai duhet të zgjidhet edhe për faktin, pasi të jenë për të gjitha përgatitjet ligjore dhe ndryshimet që kërkohen për zgjedhje nga populli, sepse ishte vetë kandidatja e LDK-së Vjosa Osmani, ajo e cila në fushatën zgjedhore, është angazhuar pikërisht për këtë çështje, duke theksuar në vazhdimësi se përfundimisht për LDK-në presidenti nuk do të jetë më çështje e pazareve të partive politike, por i zgjedhur nga qytetarët. Në si njohës të këtyre premtimeve të kësaj fushate, që akoma janë të freskëta, po mbetemi të habitur tani se si ende pa kaluar dy muaj të plotë nga zgjedhjet e 6 tetorit, çuditërisht vetë LDK po e harron këtë zotim elektoral të kandidates së saj për kryeministre të vendit. Nëse nuk e mbajnë këtë premtim atëherë shtrohet pyetja se çka do të ndodhë edhe me premtimet dhe zotimet tjera”, deklaroi Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)