Së paku 43 të vdekur nga zjarri në një fabrikë

  • 08 dhjetor 2019 - 08:18
Së paku 43 të vdekur nga zjarri në një fabrikë

Të paktën 43 persona kanë vdekur shkaku i një zjarri që shpërtheu në ndërtesën e një fabrike në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, njoftoi policia indiane.

Kishore Singh, mjek në një spital publik, njoftoi se 16 persona të tjerë janë duke u trajtuar për shkak të djegieve që kanë pësuar dhe tymit që e kanë thithur. Sipas tij, të gjithë personat e lënduar ndodhen në gjendje stabile.

Një zyrtar policor në lagjen tregtare të Sadar Bazar-it, tha: “Shumica e personave që kanë vdekur ishin duke fjetur kur shpërtheu zjarri dhe e humbën jetën për shkak të asfiksisë. 

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, tha se ky zjarr ishte jashtëzakonisht i tmerrshëm dhe përmes një deklarate shprehu ngushëllime për familjet e viktimave. “Lutjet e mia janë për ata që i humbën të dashurit e tyre. Të lënduarve ju dëshiroj shërim të shpejtë. Autoritetet janë duke e ofruar tërë ndihmën e mundshme në vendin e tragjedisë”, thuhet në deklaratën e kryeministrit indian.

Zjarri shpërtheu në orën 5 e 30 minuta të mëngjesit sipas kohës lokale në pjesën e vjetër të qytetit, ku rrugët e ngushta janë të ngarkuara me shumë njësi të vogla prodhuese.

Zëvendësshefi i zjarrfikësve të kryeqytetit tha se ata i kanë shpëtuar së paku 50 njerëz, ndonëse disa prej tyre vdiqën më vonë.

Mungesa e planifikimit, kontrollit dhe rregulloreve të sigurisë bën që në Indi shpesh të ketë raste të tilla vdekjeprurëse, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)