Ish-ambasadori Hamiti: Ndërkombëtarët ende s’i dënuan deklaratat e Vuçiqit për Reçakun

  • 08 December 2019 - 22:30
Ish-ambasadori Hamiti: Ndërkombëtarët ende s’i dënuan deklaratat e Vuçiqit për Reçakun

Ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Muhamet Hamiti, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për masakrën e Reçakut. Vuçiq kishte thënë se masakra e Reçakut është fabrikim dhe që nuk ka ndodhur në të vërtetë.

Hamiti më shumë është i indinjuar me heshtjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj deklaratave të Vuçiqit.

“Presidenti serb duket që është autokrati i preferuar i perëndimit në Europë”, ka shkruar Hamiti në rrjetin social Twitter.

“Ende nuk kemi parë një reagim të qartë ndaj referencës “lideri i madh Millosheviq” dhe deklaratën e tij për fabrikim të masakrës serbe në Reçak ndaj shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999”

“Shpesh na bie të dëgjojmë lëvdata nga politikanë e diplomatë perëndimorë për liderin e ‘guximshëm’ Vuçiq, duke e parë si të reformuar e madje demokrat. Vetëm rrallë, pa ia përmendur emrin, rrotull, ndonjë kritikë të butë për të, si tue e marrë me të mirë kur shkallon me deklarata si këto që u përmendën. I guximshëm është Vuçiqi kur mohon luftën gjenocidale të Serbisë kundër shqiptarëve dhe Kosovës, ndërsa masakrat si ajo e Reçakut, gjerësisht e dëshmuar si e tillë në sistemin ndërkombëtar, i quan ‘fabrikime’. I gjithë establishmenti i Serbisë është i guximshëm në këtë pikë”, shtoi më tutje profesori universitar Hamiti.

(Kosova Sot Online)