Ish agjenti i SHIK-ut: Këto tri parti mbushën listat e veteranëve të UÇK-së

  • 09 December 2019 - 07:33
Ish agjenti i SHIK-ut: Këto tri parti mbushën listat e veteranëve të UÇK-së

“Kjo aferë është e lidhur ngushtë me PDK-në, AAK-në dhe Nismën. Është shumë e sigurt se 99% e veteranëve të rrejshëm vijnë nga këto tri parti politike. Qëllimi i tyre ka qenë që të bëjnë sa më shumë veteran, që ata veteran ti kenë edhe votues të rregullt politik të tyre. Prandaj kur shihet ky lloj manipulimi, dhe ndikimi i po këtyre partive politike në drejtësi, edhe ky proces gjyqësor është vetëm një cirkus i radhës i Gjyqësisë së kapur të Kosovës", tha Miftari për "Kosova Sot Online".

Edhe pse ka filluar një proces gjyqësor lidhur me rastin listave të veteranëve të luftës së UÇK-së, dhe trefishimin e numrit të tyre nga ato të dhëna zyrtare që kanë qenë të njohura zyrtarisht edhe nga KFOR-i dhe organizatat tjera ndërkombëtare që ndihmuan për transformimin e UÇK-së në TKM, as optimistët më të mëdhenj nuk presin që për këtë aferë të madhe e cila po i kushton buxhetit të shtetit, do të ketë një gjykim meritor dhe përgjegjësit të ndëshkohen.

Aq më tepër, pritjet janë negative kur po flitet ashiqare që loja me listat e veteranëve është bërë nga vetë partitë politike që e kontrollojnë sistemin e drejtësisë, prandaj edhe nuk mundë të ketë gjykim të drejtë të përgjegjësve që e manipuluan procesin e hartimit të listave dhe verifikimit të statusit të veteranit të luftës.

Lidhur me këtë mega aferë që e ka tronditur edhe drejtësinë kosovare, për “Kosova Sot Online” ka folur ish luftëtari i UÇK-së, dhe ish agjenti i SHIK-ut Naim Miftari.

Sipas Miftarit, nuk mundë të ketë gjykim të drejtë të këtij rasti derisa është i montuar nga politika, kurse po kjo politikë e kontrollon sistemin e drejtësisë. Ajo që e thotë Miftari, përputhet plotësisht me deklaratën e ish kryetarit të Lipjanit Shukri Buja, i cili edhe vetë ka qenë epror i UÇK-së, dhe e ka thënë hapur se partitë politike në Kosovë, kishin marrëveshje rreth numrit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Prandaj edhe Miftari shprehet se kjo deklaratë vetëm sa e vërteton atë që është thënë në vazhdimësi, se listat e veteranëve janë fryrë me militantë të partive politike për interesa të votës, prandaj po ato parti politike tani do t’i mbrojnë listat e tyre duke ndikuar edhe në drejtësi.

Image
Naim Miftari

“Afera e veteranëve të luftës është e lidhur me militantët dhe rahatimin e tyre, me përfitimin e tyre në numrin e votuesve, dhe prandaj kjo është aferë e qëllimshme politike, është e lidhur ngushtë me partitë politike që e thirrin veten parti të dala nga lufta”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas tij, hisen kryesore në këtë manipulim të madh e kanë ish partnerët e PAN-it, dhe klani “Pronto”, që e përbëjnë tri partitë kryesore politike.

“Kjo aferë është e lidhur ngushtë me PDK-në, AAK-në dhe Nismën. Është shumë e sigurt se 99% e veteranëve të rrejshëm vijnë nga këto tri parti politike. Qëllimi i tyre ka qenë që të bëjnë sa më shumë veteran, që ata veteran ti kenë edhe votues të rregullt politik të tyre. Prandaj kur shihet ky lloj manipulimi, dhe ndikimi i po këtyre partive politike në drejtësi, edhe ky proces gjyqësor është vetëm një cirkus i radhës i Gjyqësisë së kapur të Kosovës. Jam i sigurt që nga ky proces nuk do të ketë rezultat, do të jetë vetëm spektakël me shumë zhurmë kinse po sundon ligji, por do ta ketë fatin e njëjtë si me spektaklin e aferës Pronto”, deklaroi Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)