Shembja e pallatit në Durrës, banori në lot: U dëmtua prej bizneseve në katin e parë

  • 09 dhjetor 2019 - 09:50
Shembja e pallatit në Durrës, banori në lot: U dëmtua prej bizneseve në katin e parë

Pallati 5-katësh në Shkozet të Durrësit, i cili u shemb mesditën e djeshme me shpërthim të komanduar, ishte dëmtuar nga ngritja e bizneseve në katin e parë, përpara tërmetit të 26 nëntorit.

Pas tërmetit të 21 shtatorit, ekspertët kishin konstatuar dëmtime në themele dhe mure mbajtëse në këtë objekt, që kishin ardhur si pasojë e ndërhyrjeve në katin e parë për ta shndërruar në biznes. Krahas procesverbalit të lëshuar nga ekspertët e vlerësimit të dëmeve pas tërmetit të shtatorit, edhe banorët e këtij pallati thonë se më herët, këtij objekti i ishin shembur muret e katit të parë, për t’u përshtatur për dyqane.

Sipas tyre, objekti ishte dëmtuar përpara tërmetit të 21 shtatorit dhe se tërmeti i fundit e shkatërroi plotësisht. Basir Selita thotë se prej 40 vitesh jeton në këtë pallat, të cilin e ka fituar asokohe nëpërmjet bonifikimit.

“Kam 40 vite që jetoj në këtë pallat. Asokohe e kam fituar nëpërmjet bonifikimit. Ky pallat është ndër pallatet më të forta në të gjithë Durrësin. Por, ky pallat është dëmtuar nga bizneset e ndërtuara në katin e parë. Muret e katit të parë u shembën për t’u përshtatur në biznese. Kjo e ka dëmtuar pallatin në strukturë. Tërmeti e gjeti të gatshëm për ta rrëzuar”, shprehet me lot në sy Basir Selita pak çaste përpara se forcat e Xhenios të shtypnin butonin për të shembur me shpërthim të komanduar pallatin që ndodhej në lagjen 14, e njohur ndryshe si zona e Shkozetit.

Mësohet se nga aktkonstatimi që grupi i ekspertëve kreu pas tërmetit të 21 shtatorit, konstatoi dëmtime që kishin ardhur si pasojë e shembjeve të mureve mbajtëse të katit të parë, që ishte përshtatur për biznes. Konkretisht, ekspertët lëshuan këtë procesverbal:

“Nga ndërhyrjet në bazament që kanë bërë banorët, janë dëmtuar inkastrimet në tokë të themeleve, duke ulur aftësinë mbajtëse të tyre. Objekti aktualisht ka dy vende ku ka çeduar kohë më parë dhe tërmeti i datës 21 shtator ka bërë që muret e tullave mbajtëse si dhe B\a të pësojnë plasaritje, sidomos në këto pika”, shkruhej në procesverbalin e lëshuar nga ekspertët disa ditë pas tërmetit të datës 21 shtator.

Për Prokurorinë e Durrësit, e cila prej disa ditësh ka nisur hetime intensive, është një rast për t’u hetuar, pasi akt-konstatimi i ekspertëve thotë se është ndërhyrë në muret mbajtëse, çka ka bërë që themelet të ulin aftësinë mbajtëse. Pallati ishte shpallur me rrezikshmëri të lartë për sigurinë e banorëve, si dhe rrezik potencial edhe për ndërtesat e tjera pranë.

(Kosova Sot Online)