Një javë pas takimit Kurti – Mustafa, s’ka vendim për postin e presidentit

  • 09 December 2019 - 11:14
Një javë pas takimit Kurti – Mustafa, s’ka vendim për postin e presidentit

As sot nuk është paraparë që të mbahet takim në mes të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të vendosur për koalicionin, kanë bërë të ditur për media burime brenda partive. Deri tash dy liderëve iu ka mbetur që të dakordohen vetëm për pozitën e presidentit, kusht ky i vendosur në tavolinë nga LDK-ja. 

Sot janë bërë një javë nga takimi i fundit VV – LDK në nivel të liderëve, ku ishte thënë se do të finalizohet marrëveshja e koalicionit në mes të dy partive.

Hesapet ndryshuan kur Isa Mustafa ia prezantoi edhe një kush tjetër Albin Kurtit, pasi që të dy liderët fillimisht zgjodhën ministritë që do t’i takojnë secilës.

Derisa Mustafa zgjodhi i pari MPB-në, ministri që kishte qenë premtim elektoral i VV-së, ai tha se me Kurtin duhet të merren vesh edhe për presidentin që do të pasojë Hashim Thaçin, e që sipas kësaj marrëveshje duhet t’i takoj LDK-së.

Pikërisht ky kusht kishte qenë arsye se pse të hënën që lamë pas nuk u arrit marrëveshja e premtuar e koalicionit, që u tha se do të nënshkruhet 72 orë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Kjo ‘mosmarrëveshje’ do të pasonte pastaj me akuza në distancë në mes të anëtarëve të të dy partive. U bë e ditur se as VV e as LDK-ja nuk kanë hequr dorë nga kushtet e tyre. LDK vazhdon të insistojë për presidentin, e nga VV-ja nuk duan që të bëjnë pazare me këtë temë.

Si rrjedhojë e kësaj, as sot nuk është paraparë takim në mes të dy liderëve, Albin Kurtit e Isa Mustafës. Nga LDK bile thanë se i takon VV-së që të thërrasë takimin e ardhshëm. Deri tani dihet se Kurti i ka shkruar Mustafës, e të dy partitë po tentojnë që të vazhdojnë bashkëpunimin.

Në takimin e fundit, merret vesh se LDK-ja kishte zgjedhur fillimisht MPB-në, pastaj Ministrinë e Arsimit, Bujqësisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Planifikimit Hapësinor.

VV-ja ndërkaq, zgjodhi Ministrinë e Punëve të Jashtme, Financave, Zhvillimit Ekonomik, Shëndetësisë dhe Drejtësisë.

Nuk dihet nëse këto ministri që thuhet se kanë zgjedhur liderët në takimin e fundit do të qëndrojnë të ndara njëjtë në mes të partive, edhe në takimin e ardhshëm që parashihet të mbahet në mes të Kurtit e Mustafës, e ku diçka do të vendoset edhe për postin e presidentit.

Kujtojmë që kanë kaluar 13 ditë prej kur KQZ ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor.

Derisa LDK e VV po synojnë të formojnë koalicionin qeverisës, në çdo kohë mbetet në dorë të presidentit Hashim Thaçi që të thërrasë seancën konstituive.

(Kosova Sot Online)