Profesorët që kishin paralajmëruar për këto dy qytete të Kosovës, që mund të goditen nga tërmete të fuqishëm

  • 09 December 2019 - 13:46
Profesorët që kishin paralajmëruar për këto dy qytete të Kosovës, që mund të goditen nga tërmete të fuqishëm

Peja dhe Prizreni janë dy qytetet në Kosovë të cilat rrezikohen nga tërmete me fuqishme, madje edhe me magnitudë 6.8. Kështu, të paktën kishin paralajmëruar disa profesorë nga Tirana.

Në vitin 2013 katër sizmologë të njohur në vend, Prof.Dr.Eduard Sulstarova, Prof.Dr.Shyqyri Aliaj, Prof.Dr.Siasi Koçiu dhe Prof.Dr.Betim Muço, i ofruan qeverisë një hartë të re sizmike që shoqëronin botimin e tyre të përbashkët “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri”.

Kur e prezantuan këtë studim para mediave ato i bënë thirrje qeverisë që të azhurnonte hartat e reja në standardet kombëtare në sektorin e ndërtimit.

Rreth 6 vite më parë profesorët i bënë thirrje qeverisë që të adoptonte hartat dhe kodet e ndërtimit për shkak se tani po ndërtoheshin pallate shumëkatëshe mbi rekorde ligjore të vjetra.

“Pretendojmë dhe kërkojmë nga qeveria që këto harta të futen, si kusht normativ për të gjitha ndërtimet antisizmike që bëhen në Shqipëri dhe të zëvendësojnë hartën sizmike të vendit e viteve ’80, që është edhe sot në fuqi”, – tha profesori  Sulstarova në vitin 2013.

Akademikët në botimin e tyre kanë veçuar se në territorin e Shqipërisë, me probabilitet 80%, mund të ndodhë një tërmet VII ballë një herë në çdo 5 vjet, një tërmet VIII ballë çdo 10 vjet, ndërsa një tërmet iX ballë çdo 30-40 vjet dhe tërmeti maksimal i mundshëm arrin magnitudën Ms=7.5.

Në studim autorët kanë dalluar 9 zonat e burimeve sizmike:

Zona Lezhë-Ulqin me Mmax=7.0

Ultësira Pranadriatike me Mmax=6.9

Bregdeti Jonian me Mmax=7.0

Korçë-Ohër me Mmax=6.9

Elbasan-Dibër-Tetovë me Mmax=6.9

Kukës-Peshkopi me Mmax=6.5

Shkodër-Tropojë me Mmax=6.5

Pejë-Prizren me Mmax=6.8

Zona e Shkupit me Mmax=6.5.

(Kosova Sot Online)