Majko e ka një këshillë për politikën (qeverinë): Tërmeti s’duhet shfrytëzuar politikisht

  • 09 December 2019 - 15:09
Majko e ka një këshillë për politikën (qeverinë): Tërmeti s’duhet shfrytëzuar politikisht

Për ish-kryeministrin socialist Pandeli Majko, vendi është një situatë emergjente dhe duhet të ketë një plan të mirëfilltë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti.  Pas Edi Ramës, edhe ministri për diasporën, është i bindur se për të kapërcyer këtë situatë, qeveria ka nevojë edhe për PD.

Majko: Nuk bëhet thjesht për të realizuar një fotografi. Është shumë e rëndësishme edhe për njerëzit e traumatizuar që të gjitha palët sipas parimit shumë mendje janë më shumë sesa disa mendje. Prandaj në këto kushte kur Shqipërinë e kanë goditur tre tërmete brenda një viti është e nevojshme që politika të ndryshojë pak lëkurë nëse ka mundësi.

Majko nënvizon se menaxhimi i kësaj situatë do të marrë shumë kohë dhe do të ketë nevoja për më shumë financa, prandaj duhet të ketë mbështetjen e të gjithë aktorëve politikë në vend.

Majko: Nuk bëhet fjalë për një histori që do mbyllet brenda disa muajve do të duhet një kohë relativisht e gjatë. Do të duhen shpenzime shumë të mëdha për të tejkaluar dëmet e tre tërmeteve. Kërkohet një punë shumë e specializuar  dhe mendoj që  ajo që ka ndodhur është mësim i mirë për gjithë institucionet shqiptare.

Ndërsa i bën thirrje politikës që të mos shfrytëzojnë fatkeqësinë që ka kapluar vendin për përfitime politike.

Majko: Kjo histori nuk duhet përdorur për histori përfitimesh politike. Nuk mendoj të them që ajo që po bën qeveria është gjëja më e zgjuar që mund të bëhet në këto momente. Por një gjë e them me bindje, qeveria po bën atë që mundet edhe përtej mundësive të veta financiare.

Pandeli Majko nënvizoi se të gjitha ndihmat që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë janë të mirëpritura nga vendi ynë, pavarësisht se deri më tani ende nuk ka një faturë të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit që shkaktoi 51 viktima, qindra të plagosur dhe shumë banesa të dëmtuara.

(Kosova Sot Online)