Ja kush e thotë: Vazhdon loja me ‘Veteranët’, ky do të jetë fundi...

  • 10 December 2019 - 07:46
Ja kush e thotë: Vazhdon loja me ‘Veteranët’, ky do të jetë fundi...

“Loja vazhdon. Pse të mos publikohen dëshmitë? Aktgjykimi duhet të bazohet në fakte dhe ato duhet të publikohen. Një është e sigurt, qeveria e kaluar nuk e ka ndërmarr asnjë vendim të cilit ja kanë pa hairin të gjithë qytetarët. Tani edhe Avokati i Popullit duhet të kërkoj nga Gjykata Kushtetuese që edhe Ligji për Veteranet të stopohet”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Derisa është në vazhdim e sipër procesi gjyqësor lidhur me rastin veteranët, proces që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës me marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe ish anëtareve të komisionit qeveritar, njohës të fushës së sundimit të ligjit dhe të së drejtës, theksojnë se me disa deklarata të të intervistuarve, më në fund po del në sipërfaqe skenari i inkriminuar i tregtisë politike me statusin e veteranit nga të gjitha partitë politike në mënyrë proporcionale, që pastaj këta veteran t’i shndërrojnë në votues të tyre potencial.

E një skenar të tillë, ditë më parë e zbuloi ish kryetari i Lipjanit, Shukri Buja i cili e ka thënë hapur se partitë politike në Kosovë, kishin marrëveshje rreth numrit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Madje ai ka thënë se për këtë do të ofrojë dëshmi, gjatë procesit gjyqësor të rastit të njohur si “Veteranët”, ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ai po akuzohet së bashku me ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputetin Shkumbin Demalijaj, si dhe tetë persona të tjerë.

Image
Hasan Preteni

“Komisioni ka qenë para vendimeve dhe presioneve politike dhe atyre nga opinioni për të dal me lista për veteranë. Për të vërtetuar këtë, do të propozojë dëshmitarë, të cilët do të vërtetojë se ka pas marrëveshje mes subjekteve politike dhe do të jenë udhëheqësit e subjekteve politike që kanë bo marrëveshje. Do të ofrojnë dëshmi mbi presionin në Komision nga opinioni publik”, ka deklaruar Shukri Buja.

E njohësi i fushës së të drejtës, Hasan Preteni, ish epror i UÇK-së dhe më pas në TMK, ka thënë për “Kosova Sot Online” se me këtë afera të madhe është duke vazhduar një proces jo transparent, sepse dëshmitë do të duhej publikuar edhe për opinionin publik.

“Loja vazhdon. Pse të mos publikohen dëshmitë? Aktgjykimi duhet të bazohet në fakte dhe ato duhet të publikohen. Një është e sigurt, qeveria e kaluar nuk e ka ndërmarr asnjë vendim të cilit ja kanë pa hairin të gjithë qytetarët. Tani edhe Avokati i Popullit duhet të kërkoj nga Gjykata Kushtetuese që edhe Ligji për Veteranet të stopohet”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Jo vetëm ky rast, por edhe dhjetëra të tjera, sipas Pretenit flasin për krimin dhe korrupsionin e lidhur me politikën që e ka zaptuar shtetin.

“Krim i organizuar i nivelit më të lartë. Zhvatje e buxhetit për dreka e darka, për mëditje e udhëtime zyrtare, përqindje në tender, ligje favorizuese për oligarkët dhe klientelën, bllok investimeve të huaja dhe stopim i çdo përpjekje për lëvizje të mirëfillta”, shtoi Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas Pretenit, qeveria në ikje po marr vendime të kundërligjshme edhe pse është e dorëhequr, dhe ndaj tyre nuk po reagon askush.

“Tani edhe pse në dorëheqje vendimet e tyre joligjore nuk kane të ndalur. Avokati i Popullit në shërbimin e tyre. Tentim që të behet kaos dhe të shpërqendrohet vëmendja nga “Haga”. Pse nuk u reagua në emërimet jo ligjore në AKI dhe shumë pikëpyetje tjera”, theksoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, edhe procesi për veteranët nuk do ta merr epilogun meritor të ndëshkimit, sepse është proces i kurdisur nga politika, dhe politika në prapaskenë do ta thotë fjalën e fundit.

“Rasti i veteranëve nuk do të marr kurrë epilogun e duhur, politika e ka kurdisur dhe politika do ta mbyll pa efikasitet. Vlera sublime e historisë së fundit, lufta e UÇK-së, u degradua skajshmërisht nga komandantët e pa dinjitet dhe ushtarët lakmitar. Lakmia për pasuri dhe mburrja për dinjitet nuk shkojnë bashkë”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)