GjND-ja fillon seancat për gjenocidin ndaj myslimanëve në Birmani

  • 10 December 2019 - 11:47
GjND-ja fillon seancat për gjenocidin ndaj myslimanëve në Birmani

Liderja shtetërore e Birmanisë, Aung San Suu Kyi, ka arritur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ku pritet t’i mbrojë veprimet e ushtrisë së vendit të saj kundër akuzave për gjenocid ndaj pakicës myslimane.

Që para agimit, një grumbull i madh i njerëzve ishte mbledhur para ndërtesës së kësaj gjykate për të qenë dëshmitarë të fillimit të një procesi treditor të seancave që do ta përqendrojë vëmendjen ndërkombëtare në veprimet spastruese të ushtrisë birmaneze në vitin 2017 kundër myslimanëve Rohingya.

Rreth 700 mijë persona ishin detyruar ta braktisnin vendin dhe të shkojnë në Bangladesh për shkak të përndjekjes nga ushtria.

Vendimi i lideres për të udhëtuar drejt Holandës për të dhënë dëshmi është treguar shumë i popullarizuar në vendin e saj, të banuar me shumicë budiste, ku pakicën myslimane e cilësojnë si grup të imigrantëve ilegalë, të cilëve u mohohet e drejta e shtetësisë.

Sidoqoftë, figura e kryetares Kyi është mjaft kundërthënëse. Nga fituese e Çmimit Nobel për Paqe, ajo është shndërruar në figurën kryesore që po e mohon dhunën etnike kundër pakicave të vendit të saj.

Ajo pritet të paraqitet në gjykatë të mërkurën në mëngjes, kur pritet t’i kundërshtojë akuzat për gjenocid ndaj pakicës myslimane, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)