Vodhi telefonin nga xhepi i një gruaje, dënohet me 3 vjet burgim

  • 10 December 2019 - 17:01
Vodhi telefonin nga xhepi i një gruaje, dënohet me 3 vjet burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni për çështje penale ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit G.B për veprën penale “vjedhje”.

I akuzuari G.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 viteve, i cili dënim do të ekzekutohet  pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi si dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 (pesëqind) euro.

Në këtë dënim të akuzuarit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 12.11.2019 e  tutje. Të akuzuarit G.B i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

“I akuzuari G.B është akuzuar nga Prokuroria pasi që me datë 25.10.2019 në rrugën “Garibaldi” në afërsi të Hotelit Grand në Prishtinë, me qëllim që me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme vetes apo personit tjetër ti sjell dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme kishte shfrytëzuar situatën kur e dëmtuara D.M kishte qenë duke blerë gjësende në një kioskë, i akuzuari kishte arritur që nga xhepi i saj të merrte telefonin e saj dhe të ikte nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar kështu të dëmtuarës dëm material në vlerë prej 600 euro”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

I akuzuari G.B nga shkresat që posedon Gjykata njihet si recidivist  i cili më herët kishte qenë i dënuar nga Gjykata për vepra të ndryshme penale.


(Kosova Sot Online)