Komandantët që zgjodhën heshtjen përballë Speciales dhe akuzat se dikush ‘këndoi’ në Hagë

  • 10 December 2019 - 17:33
Komandantët që zgjodhën heshtjen përballë Speciales dhe akuzat se dikush ‘këndoi’ në Hagë

Pesë vitet e para të punës së saj, Gjykata Speciale me bazë në Hagë i ka konkretizuar me qindra ftesa për ushtarë të thjeshtë e komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në listën e të ftuarve deri tani janë përfshirë pothuajse të gjithë krerët më të lartë të UÇK’së, përjashtuar presidentin Hashim Thaçi e ish-bashkëpartiakun, Fatmir Limajn.

Është ftuar Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, Azem Syla, Rexhep Selimi, Shukri Buja, Jakup Krasniqi, Sokol Bashota, Blerim Kuçi e shumë të tjerë. Ndërkohë sot brenda zyrave të Hagës është intervistuar për më shumë se 3 orë rresht edhe ish-pjesëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, ish-kreu i SHIK-ut, tashmë kryetar i PDK’së, Kadri Veseli.

Veseli pas përfundimit të intervistimit ka dalë nga ndërtesa e Speciales pa folur për media, për të organizuar më pas një konferencë të improvizuar nga Haga, në të cilën nuk ka thënë asgjë edhe përkundër faktit se ishte intervistuar për orë të tëra.

Kreu i Kuvendit nuk ka treguar as në çfarë cilësie është ftuar nga Specialja dhe gjithashtu nuk ka treguar nëse është mbrojtur në heshtje apo nëse ka dëshmuar.

Por ndryshe nga Kadri Veseli shumica e të ftuarve nga Specialja të cilët kanë qenë të pozicionuar lartë në hierarkinë e UÇK’së, kanë treguar se janë mbrojtur në heshtje.

Ramush Haradinaj, Jakup Krasniqi, Shukri Buja e Sami Lushtaku e të tjerë pjesëtarë të UÇK’së nga zona të ndryshme kishin treguar se përballë prokurorëve të Speciales janë mbrojtur në heshtje.

Megjithatë frika se dikush prej bashkëluftëtarëve ka folur në Speciale, ka nxitur reagime dhe përplasje në publik mes ish-komandantëve.

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, kishte thënë se Rexhep Selimi ka ‘knu’ përpara prokurorëve të Hagës. Përveç Haradinajt, në drejtim të Rexhep Selimit kishin drejtuar akuza edhe bashkëpartiakë të tjerë të kryeministrit në detyrë.

Ndaj deklarimeve të tilla në një intervistë në media kishte folur vetë Rexhep Selimi, duke thënë se nuk e ka pritur mirë një deklaratë të tillë të Haradinajt.

Selimi madje kishte thënë se deklarata të tilla janë ‘këngë’ me autorësi të Hashim Thaçit, e të cilën këngë sipas tij po e këndon edhe Ramush Haradinaj.

“E kam dëgjuar dhe nuk e kam pritur mirë. Nuk është hera e parë që e kam dëgju. Unë dua të them se Ramushi e di që nuk është ashtu. E di që është rrenë dhe e di burimin e kësaj rene. Po më bën përshtypje pse Ramushi po e knon atë këngë kur e di prej nga vjen. Autori i këngës është Hashim Thaçi, dhe nuk e kuptoj pse Ramushi e ndjek atë”, kishte thënë Rexhep Selimi.

Deri tani Gjykata Speciale nuk ka ngritur asnjë aktakuzë, por të tilla sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së do të ketë shumë shpejtë.

Megjithatë nga Haga nuk japin asnjëherë informacione që ndërlidhen me hetimet apo kohën se kur do të mund të ngriten aktakuzat e para.

Ndryshimet Kushtetuese për krijimin e Gjykatës Speciale ishin miratuar pas shumë zhurme më 3 gusht të vitit 2015. Pro saj kishin votuar 82 deputetë, 5 e kishin kundërshtuar, ndërsa vetëm 1 kishte abstenuar. Në momentin e votimit të pranishëm në sallë kanë qenë 117 deputetë.

Vlenë të theksohet se në dhjetor të 2017-ës, Partia Demokratike e Kosovës nën drejtimin e Kadri Veselit, kishte marrë një iniciativë për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Një nismë e tillë kishte trazuar gjithë ambasadorët e shteteve perëndimorë ne Kosovë, ndërkohë më i ashpër në reagim kishte qenë ish-ambasadori amerikan, Greg Delawie.

Delawie kishte thënë se një e gjë e tillë do të nënkuptonte thikë pas shpine për Shtetet e bashkuara të Amerikës.

“Kjo është thikë pas shpine për SHBA-në. E kundërshtojmë fuqishëm” kishte thënë ish-diplomati amerikan.

Pas gjithë këtyre kundërshtive, deputetët e PDK’së ishin zmbrapsur nga një iniciativë e tillë.


(Kosova Sot Online)