A është ky kompromisi VV – LDK për koalicionin

  • 10 dhjetor 2019 - 17:39
A është ky kompromisi VV – LDK për koalicionin

Lëvizjes Vetëvendosje me gjasë do t’i duhet që të bëjë një kompromis Lidhjen Demokratike për Ministrinë e Punëve të Brendshme e me postin e presidentit, nëse shkojnë me LDK-në në qeverisje. As njëra e as tjetra nuk po heqin dorë nga kushtet që i kanë vënë në tavolinë të diskutimit, e kjo i ka lënë tash e një javë, pa marrëveshje. Partitë thonë se nuk kanë datë për takimin e radhës.

Dje u bë një javë pa takim në mes të VV-së e LDK-së, derisa herën e fundit që u panë, ndarja në mes të Albin Kurtit e Isa Mustafës nuk u doli siç e kishin menduar.

Dy partitë që po tentojnë tash e një kohë bashkimin në pozitë, nuk arritën që të dakordohen kur erdhi puna te ndarja e posteve. Në tavolinë, Mustafa, pasi që zgjodhi i pari Ministrinë e Punëve të Brendshme, e vuri si kusht edhe pozitën e të parit të shtetit, që do të pasojë Hashim Thaçin.

Derisa e hëna që lamë pas, rezultoi pa marrëveshje, VV e LDK ende nuk kanë vendosur brenda partive se cila do të tërhiqet nga kushtet që dhanë për të finalizuar marrëveshjen.

Nëpër deklarata u bë shumë e qartë se VV se jep postin e presidentit si pjesë të pazarit, e se LDK-ja nuk shkon në qeveri me Kurtin pa u marrë vesh për këtë post.

Si duket reflektimi brenda subjekteve nuk po ju shkon mirë as njërës as tjetrës, pasi që ende nuk ka datë për takimin që do të mbahet në mes të dy liderëve. 

Sipas burimeve, merret vesh se një nga skenarët që me shumë gjasë do të mund t’i pajtojë Kurtin e Mustafën, është që LDK-ja të merr postin e presidentit e që MPB-ja atëherë, t’i kalojë VV-së, pasi që e njëjta kishte qenë edhe premtim elektoral i partisë së Kurtit.

Mirëpo, kjo sipas VV-së nuk është diskutuar ende brenda partive. Nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Kollçaku ka thënë se mund të flasin sa i përket marrëveshjes, vetëm për gjërat që tashmë janë bërë të ditura, e u thanë pas takimit nga vetë Kurti.

Kollçaku nuk ka bërë të ditur se kur do të jetë takimi i radhës, e as për kthimin e Kurtit nga Berlini, aty ku po qëndron në vizitë zyrtare.

‘Presionin’ për të lëvizur diçka lidhur me marrëveshjen dy partive ua shtoi sot edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, që për herë të parë foli për seancën konstituive, të paraparë që të thirret nga ai brenda dy javëve.

Thaçi tha shkurtimisht se seanca do të thirret në kohë të rregullt kushtetuese dhe sipas ligjeve.

Sot gjatë ditës për koalicionin LDK – VV  ka folur edhe deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Ai tha se së shpejti do të arrihet marrëveshja e të ndahen përgjegjësitë.

LDK e VV u tha se do të pajtohen gjatë kësaj jave në takimin e radhës që do të ndodhë në nivel të liderëve. Dihet tashmë se Kurti i ka shkruar Mustafës pas takimit të fundit që patën një javë më parë

(Kosova Sot Online)