Paralajmërimi: Ja tronditja për Vetëvendosjen dhe LDK-në nëse shkohet në zgjedhje

  • 10 December 2019 - 19:40
Paralajmërimi: Ja tronditja për Vetëvendosjen dhe LDK-në nëse shkohet në zgjedhje

“Në rast të dështimit të koalicionit LVV-LDK, zhgënjimi qytetar në të dyja këto parti politike do të jetë shumë i madh, dhe kjo kryeneçësi për interesa të ngushta politike e klanore do të ndëshkohet tepër rëndë nëse përsëriten zgjedhjet. Qytetarëve të Kosovës që votuan me shumicë për këto dy parti politike ju premtua qeverisje dhe ndryshim formim i shpejtë i institucioneve të shteti, në ditët e para pas verifikimit të zgjedhjeve”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

 

Po kalon java e dytë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, dhe dy partitë politike që dolën fituese të zgjedhjeve, LVV dhe LDK, akoma nuk e kanë firmosur marrëveshjen për koalicion, për shkak të përçarjeve të thella rreth ndarjes së pozitave në pushtet. 

Edhe pse kanë paralajmërime që ky ngërç do të kalohet së shpejti, analistët politikë duke parë pozicionimin e ngurtë sa i takon çështjes së Presidentit të ardhshëm, theksojnë se është shumë afër një dështim i koalicionit qeverisës mes LVV-së dhe LDK-së, dhe rreziku për të shkuar vendi në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. 

Image
Ragip Guraziu

Për këtë temë ka folur për “Kosova Sot Online” analisti politik, Ragip Guraziu, sipas të cilit, një skenar i tillë do të iu kthehej të dyja partive politike me ndëshkim të madh në zgjedhjet e radhës, ngase qytetarët iu kanë besuar premtimeve të dhëna në fushatë, dhe kanë pritur më shpejtë marrëveshjen për krijimin e institucioneve. 

“Në rast të dështimit të koalicionit LVV-LDK, zhgënjimi qytetar në të dyja këto parti politike do të jetë shumë i madh, dhe kjo kryeneçësi për interesa të ngushta politike e klanore do të ndëshkohet tepër rëndë nëse përsëriten zgjedhjet. Qytetarëve të Kosovës që votuan me shumicë për këto dy parti politike ju premtua qeverisje dhe ndryshim formim i shpejtë i institucioneve të shteti, në ditët e para pas verifikimit të zgjedhjeve. Tani po kalojnë dy javë nga certifikimi dhe nuk kemi akoma as marrëveshje politike për koalicion, kurse LVV-ja kërcënon me zgjedhje të jashtëzakonshme nëse nuk bindet LDK për të hequr dorë nga kërkesa për Presidentin. Edhe nëse shkohet përsëri në zgjedhje nuk do të ndodhë mrekullia sepse potencialisht VV-ja del sërish si subjekti politik më i votuar dhe nëse vazhdon të thotë pastaj se me LDK-në nuk bën koalicion, me PDK-në- Jo, me AAK-në – Jo, me Nismën- Jo, me Listën Serbe- Jo, shtrohet pyetja se ku mbetet logjika e bërjes politikë dhe premtimi për shtet dhe institucione”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”. 

E nëse planet janë që pas zgjedhjeve të mundshme të hiqen vijat e kuqe për PDK-në, AAK-në, Nismën e Listën Serbe, atëherë Guraziu thotë se do të ishte më e logjikshme që të hiqen tani ato vija dhe të mos maltretohen qytetarët e të mos shpenzohet prapë miliona euro kot. 

“Mundësia që një parti politike t’i fitojë mbi 50% të votave në Kosovë nuk mundë të bëhet asnjëherë realitet, kurse Kosova nuk e ka luksin që të jetoj pafundësisht në vakuum institucional. Presioni ndërkombëtar për krijimin e institucioneve sa vjen e po shtohet. Këtë e kërkesë së fundi edhe ambasadori gjerman Heldt, prandaj duhet të lihen anash interesat e ngushta politike”, shtoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Guraziut, çështja e Presidentit është fare lehtë e zgjidhshme, ku duhet të ndryshohet kushtetuta dhe të zgjidhet presidenti nga populli.

“Kështu siç ka filluar,nuk do kemi qeveri, deri në pranverën e 2020, por ka mundësi që të shkohet edhe në zgjedhje të reja. Këtë rrezik po dëshmojnë të dy subjektet politike fituese të 6 zgjedhjeve të tetorit , që po duken kopje totale e qeverive të kaluara me këtë logjikë politike që po luftojnë për pushtet. Prandaj mendoj që është koha e fundit që LDK dhe LVV të heqin dorë nga presidenti i pazareve politike dhe ta marrin seriozisht ndryshimin e kushtetutës dhe reformën zgjedhor për zgjedhjen e presidentit, president të zgjedhur nga qytetarët dhe jo nga pazaret e shtrenjta politike, që presidenti pastaj të mbetet kukull dhe zëdhënës i një partie të shumicës, sikur që po ndodhë tani me Hashim Thaçin, pa autoritet politik dhe pa respekt qytetar, vetëm në shërbim të PDK-së. Kjo është formula më e mirë demokratike. Kjo do të ishte zgjidhja e shkëlqyeshme sepse do ta nxirrte mirë edhe LDK-në një kërkesë e tillë ngase ka qenë vetë kandidatja e LDK-së Vjosa Osmani ajo që në fushatën zgjedhorë është angazhuar pikërisht për këtë çështje, duke theksuar se përfundimisht për LDK-në presidenti nuk do të jetë më çështje e pazareve të partive politike, por i zgjedhur nga qytetarët. Është koha ta mbajnë fjalën”, përfundoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)