Vuçiqi e lavdëron Handken

  • 11 December 2019 - 10:23
Vuçiqi e lavdëron Handken

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka uruar shkrimtarin austriak Peter Handke për pranimin e Çmimit Nobel në Letërsi.

“Serbia ju konsideron një mik të vërtetë dhe unë do të jem i lirë të them se ne e përjetojmë çmimin tuaj Nobel si ta ketë fituar një prej nesh. Tani, me Ivo Andriq, ne po festojmë një tjetër nga fituesit tanë të Çmimit Nobel”.

Vuçiq tha që Handkes, Nobeli iu dha “për punë të jashtëzakonshme letrare, njohuri dhe krijimtari” por për “cilësi morale të pakrahasueshme, për guxim dhe dinjitet, për të cilat luftoni për idealet tuaja të një intelektuali të lartë”.

Ai shtoi se shpresonte që Handke do të vizitojë Serbinë së shpejti.

Në vitin 1996, një vit pas përfundimit të luftërave në Bosnjë dhe Kroaci, Handke shkroi një pamflet me titull “Drejtësi për Serbinë” që shkaktoi polemikë. Në vitin 1999, shkrimtari austriak kritikoi gjithashtu ashpër NATO-n për bombardimin e Serbisë, dhe në vitin 2006 mori pjesë në varrimin e Slobodan Milosheviqit.

Nderimi i tij me Nobelin për Letërsi u përcoll me reagime dhe kundërshti të mëdha nga vende të ndryshme të botës, kjo pasi Handke ishte mbështetës i Sllobodan Millosheviqit dhe kishte mohuar gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pikërisht për këtë Shqipëria, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Afganistani bojkotuan ceremoninë e dhënies së këtij çmimi gjatë së martës. 

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës i kishte dërguar letër Akademisë Suedeze ku potencohej se Handke kishte mohuar krimet gjenocidale të Millosheviqit, për të cilën kjo e fundit pati thënë se “Nobeli ndahej për arritjet në letërsi e jo për personalitetin e tij”.

(Kosova Sot Online)