Albin Kurti flet para takimit me Isa Mustafën, jep detajet

  • 11 December 2019 - 16:01
Albin Kurti flet para takimit me Isa Mustafën, jep detajet

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti para takimit të sotëm me kreun e LDK-së, Isa Mustafa u shpreh i bindur se nuk do të ketë asnjë pengesë, përshirë postin e presidentit që nuk do të tejkalohet me LDK-në për të formuar qeverinë e ardhshme, pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Pretendenti për kryeministër pas takimit me disa prej sindikalistëve tha se populli ka votuar për ndryshime dhe nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, pos koalicionit VV-LDK.

“Unë jam optimist se do t’i tejkalojmë të gjitha diferencat e vogla. Në njërën anë ekziston mirëbesimi ynë, në anën tjetër po ashtu  dhe dëshira e madhe për ndryshime politike  në vendin tonë. Sa i përket rezultateve konkrete nga këto bisedime, natyrisht se do t’iu njoftojmë atëherë kur do t’i kemi ato. Por mos dyshoni në suksesin e plotë të formimit të koalicionit qeverisës se populli  me 6 tetor ka vendosur për ndryshime dhe qe besa me zgjedhjet e tij nuk na ka lënë zgjedhjeve neve. Do të bëhet VV-LDK, sepse kështu ka dashur populli... s’ka pengesë që nuk e tejkalojmë”, tha ai.

Për takimin e sotëm, Kurti tha se do të vazhdojnë negociatat aty ku kanë mbetur në ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv.

“Në këto takime do të vazhdojmë aty ku kemi mbetur, pra përgjegjësitë në ekzekutiv t’i përfundojmë dhe kësisoj harmonizimi qind për qind sa i përket programit qeverisës t’ia bashkëngjisim edhe ndarjen qind për qind të përgjegjësive në Qeverinë e ardhshme”, tha Kurti.

Sot rreth orës 17:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës pritet të takohen Kurti-Mustafa pas një pauze dhjetëditëshe ku u shpërfaqën dallimet për disa nga postet ministrore dhe postin e presidentit.

(Kosova Sot Online)